Irani hedh poshtë deklaratat e Trumpit për marrëveshjen e raportuar, thotë se ato bien ndesh me draft-marrëveshjes

Irani ka hedhur poshtë deklaratat e fundit të presidentit amerikan, Donald Trump, lidhur me një marrëveshje të raportuar, duke theksuar se ato bien ndesh me dispozitat e draft-marrëveshjeje që është ende në shqyrtim, transmeton Anadolu.
Duke cituar burime anonime, agjencia gjysmëzyrtare iraniane Fars tha se deklaratat e Trumpit janë “një përzierje e së vërtetës dhe gënjeshtrës” dhe një përpjekje për të paraqitur një “fitore të fabrikuar”.
Një draft-marrëveshje e bazuar në parimin “angazhim për angazhim” është në fazën përfundimtare të shqyrtimit në Iran, megjithëse ende nuk është marrë një vendim përfundimtar, shtuan burimet.
Fars tha se në asnjë dispozitë të draftit nuk detyrohet Irani të rihapë Ngushticën e Hormuzit pa tarifa apo pa vendosur masa sigurie dhe monitorimi.
Ajo gjithashtu hodhi poshtë pretendimin e Trumpit se Irani do të çmontojë ose shkatërrojë materialet e tij bërthamore, duke theksuar se një angazhim i tillë nuk ekziston në memorandumin e mirëkuptimit që po diskutohet.
Fars gjithashtu tha se një element kyç i marrëveshjes së propozuar është lirimi i menjëhershëm i 12 miliardë dollarëve në asete iraniane të ngrira, duke argumentuar se Teherani nuk do të kalojë në fazat e tjera të negociatave derisa fondet të bëhen të disponueshme.
Raporti shtoi gjithashtu se drafti përfshin një dispozitë për një armëpushim të plotë në Liban në përputhje me qëndrimin e Hezbollahut.
Sipas agjencisë, zyrtarët iranianë theksojnë se çdo marrëveshje përfundimtare duhet të respektojë “vijat e kuqe” të Republikës Islamike dhe të përfshijë garanci për reagim të menjëhershëm në rast shkeljeje nga Washingtoni.
Më herët, në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump përshkroi disa elemente që, sipas tij, janë pjesë e propozimit, përfshirë angazhimin e Iranit për të mos zhvilluar kurrë armë bërthamore dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit për lundrim të lirë tregtar.



