“Kuvendi te të rinjtë”, Gashi zhvillon debat me studentët e UT-së

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi ka njoftuar se në kuadër të aktiviteteve të Karvanit Parlamentar “Kuvendi te të rinjtë”, ka vizituar Universitetin e Tetovës, ku është takuar me udhëheqësinë e Universitetit dhe ka zhvilluar një diskutim të hapur me studentët.
“Në takimin me Rektorin, z. Jusuf Zejneli, theksova se politika duhet të jetë në shërbim të arsimit dhe të rinjve, ndërsa institucionet kanë obligim të dëgjojnë dhe mbështesin universitetet në përballjen me sfidat dhe avancimin e dijes.
Gjithashtu, u nënvizua suksesi i nënshkrimit të marrëveshjes kolektive, si dhe nevoja për një strategji afatgjatë në arsim dhe një qasje gjithëpërfshirëse me qëllim ngritjen e cilësisë së arsimit.
Në bashkëbisedimin me studentët diskutuam për kulturën politike, rolin e deputetëve dhe rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në proceset vendimmarrëse. I inkurajova ata të jenë kritikë, aktivë dhe kërkues, sepse vetëm përmes dialogut të sinqertë ndërtojmë institucione më të forta dhe një shoqëri më të mirë.
Kuvendi mbetet i përkushtuar për ta sjellë institucionin më afër të rinjve dhe për të krijuar më shumë mundësi e perspektivë, në mënyrë që ata ta ndërtojnë të ardhmen e tyre profesionale në vendin tone”, ka shkruar Gashi.



