Mijëra besimtarë myslimanë falin namazin e Kurban Bajramit në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ në Tiranë

Besimtarët myslimanë festojnë sot Kurban Bajramin, një nga 2 ditët më të rëndësishme në kalendarin e besimit mysliman. Mijëra besimtarë u mlodhën në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ për faljen e namazit.
Ceremonia u shoqërua me mesazhe paqeje, solidariteti dhe harmonie mes njerëzve. Udhëheqësit fetarë apeluan për më shumë mirëkuptim, ndihmë ndaj njerëzve në nevojë dhe forcim të vlerave familjare e shpirtërore.
Kreu i KMSH-së, Bujar Spahiu ka përcjellë edhe një mesazh urimi para besimtarëve, duke theksuar rëndësinë e solidaritetit, respektit dhe bashkëjetesës mes njerëzve. Në fjalën e tij, ai u shpreh se Kurban Bajrami është një festë që i fton besimtarët të largohen nga egoizmi, urrejtja, padrejtësia dhe indiferenca ndaj njëri-tjetrit.
“Kurban Bajrami është festa që na mëson të largohemi nga egoizmi, urrejtja, padrejtësia dhe indiferenca ndaj njëri-tjetrit. Në këtë ditë të shenjtë, Allahu na kujton në Kuranin Famëlartë: ‘O ju njerëz, ne ju krijuam prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni me njëri-tjetrin. Më i miri te Allahu është ai që është më i devotshëm’. Ky ajet është një mesazh i madh për të gjithë: të jetojmë me respekt dhe me dinjitet ndaj njëri-tjetrit”, tha kreu i KMSH-së, Bujar Spahiu.
Pas faljes së Namazit, besimtarët shkëmbyen urime për festën, ndërsa shumë familje vijojnë traditën e therjes së kurbanit dhe ndarjes me të afërmit dhe familjet në nevojë. Festa e Kurban Bajramit simbolizon sakrificën, devotshmërinë dhe bamirësinë në fenë islame.
