Media amerikane: I dyshuari për sulmin në xhaminë në San Diego kishte admirim për nazistët

Njëri nga të dyshuarit në sulmin vdekjeprurës ndaj Qendrës Islame të San Diegos në Kaliforni ishte identifikuar nga policia më shumë se një vit më parë për “admirim të nazistëve dhe autorëve të sulmeve masive”, sipas një lajmi të publikuar të premten, transmeton Anadolu.
New York Times, duke cituar dokumente gjyqësore, raportoi se policia në Chula Vista, Kaliforni, kishte siguruar një urdhër gjykate në janar 2025 për të konfiskuar armët nga shtëpia e 18-vjeçarit Caleb Vazquez, pasi ishte alarmuar nga sjellja e tij.
“Fëmija ishte i përfshirë në sjellje të dyshimtë duke idolizuar nazistët dhe autorët e sulmeve masive”, ka shkruar një oficer policie në urdhrin mbrojtës, tha gazeta amerikane.
Vazquez dhe 17-vjeçari Cain Clark sulmuan xhaminë të hënën, duke vrarë tre persona para se të vdisnin nga plagë të vetëshkaktuara, sipas policisë dhe FBI-së.
Lajmi thotë se Vazquez më herët ishte vendosur në një ndalim të pavullnetshëm psikiatrik dhe kishte qenë nën vëzhgimin e autoriteteve ligjzbatuese shumë kohë përpara sulmit.
FBI-ja gjithashtu ishte njoftuar për shqetësime rreth njërit prej adoleshentëve dhe kishte një hetim të hapur në sistemin e saj të monitorimit të kërcënimeve, sipas komunikimeve të brendshme të cituara në nga New York Times.
Policia tha se të dy të dyshuarit ishin njohur në internet dhe ndanin pikëpamje raciste dhe ekstremiste që synonin grupe të ndryshme racore dhe fetare.
Pas sulmit, hetuesit thuhet se gjetën një dokument të shkruar nga adoleshentët, i cili përshkruante besime ekstremiste dhe një vizion për një shoqëri të kufizuar racialisht dhe fetarisht.
Sulmi kishte në shënjestër xhaminë më të madhe në San Diego dhe po hetohet si krim urrejtjeje.



