Kumarxhinjtë e bixhozxhinjtë të revoltuar me Qeverinë – Kërkojnë shlirë të luajnë kumar e bixhoz

Të punësuarit në bizneset e lojërave të fatit dalin përsëri në rrugë. Ata kërkojnë që ligji i ri që parashikon distancë prej 500 metrash nga shkollat fillore dhe të mesme për kazinotë, të mos miratohet. Ata thonë se janë të përgatitur të organizojnë protesta edhe më masive.
“Nëse miratohet ligji, 10 mijë të punësuar nga ky sektor do të mbesim në rrugë. Kjo do të thotë se bashkë me familjet tona, do të bëhemi 35 mijë kandidatë të rinj për shpërngulje jashtë vendit. Nëse ky sektor ekonomik pushon së ekzistuari në Maqedoni ne nuk do të kemi zgjidhje tjetër përveç që të aplikojmë në shtetet tjera, në BE, në vendet perëndimore për të punuar në vendet e punës në të cilat kemi punuar deri tani dhe jemi trajnuar” deklaroi një e punësuar gjatë protestave.
Të punësuarit nuk janë të vetmit që reagojnë për propozim-ligjin e ri.
Organizatat joqeveritare, përmes një komunikate, hapin alarmin për mundësinë e keqpërdorimit të mjeteve nga lojërat e fatit të destinuara për kategoritë e rrezikuara, në rast se propozim-ligji i ri miratohet në formën që është. Me propozimin e ri organizatat qytetare dhe shoqatat e invalidëve, ata të luftës kundër dhunës familjare dhe Kryqi i Kuq, nuk përfshihen më në ligj si përfitues të 50% të mjeteve që shteti fiton nga lojërat e fatit. Neni në ligjin e ri parashikohet që mjetet të përdoren për financimin e kategorive të rrezikuara, personave të moshuar dhe të dobët, viktimave të dhunës në familje dhe personave me aftësi të kufizuara dhe nevoja të veçanta.
***
Ligji në fuqi, Neni 16
Mjetet e gjeneruara mbi të gjitha bazat nga organizimi i lojërave të fatit dhe lojërave argëtuese do të përdoren për financimin e organizatave kombëtare të personave me aftësi të kufizuara, shoqatave të tyre dhe asociacioneve të tyre, shoqatave të qytetarëve për luftën kundër dhunës në familje dhe Kryqit të Kuq.
***
Propozim-ligji i ri, Neni 18
Mjetet e paguara mbi të gjitha bazat nga organizimi i lojërave të fatit dhe lojërave argëtuese në Buxhetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut do të përdoren për financimin e kategorive të cenueshme, personave të moshuar dhe të dobët, viktimave të dhunës në familje dhe personave me aftësi të kufizuara dhe nevoja të veçanta.
***
Sipas Rrjetit nacional kundër diskriminimit ku bëjnë pjesë më shumë OJQ, ndryshimet e propozuara krijojnë rrezikun që fondet e destinuara për kategoritë e rrezikuara të shpërndahen pa kritere të qarta, transparente dhe të përgjegjshme, pa një garanci se ato do të arrijnë te organizatat që kanë përvojë, ekspertizë, shërbime të licencuara dhe punë të drejtpërdrejtë me qytetarët. Ata ngrenë dyshimin nëse në vend po ngushtohet hapësira për funksionimin e OJQ-ve dhe vendi po largohet nga standarded demokratike evropiane.
Propozim-ligji për lojërat e fatit është në procedurë parlamentare. /Alsat.mk/



