Durmishi: Po shqyrtojmë 13 muaj pushim të paguar prindëror dhe reforma të reja për mbështetjen e familjeve

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, në konferencën kushtuar sistemeve të kujdesit dhe ndikimit të tyre në ekonomi, theksoi se investimi në kujdes nuk duhet të shihet si shpenzim social, por si investim strategjik në zhvillimin ekonomik, kapitalin njerëzor dhe rritjen e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës.
Në fjalimin e tij në konferencën e organizuar nga UN Women, ministri Durmishi vlerësoi se ndërtimi i sistemeve moderne dhe gjithëpërfshirëse të kujdesit është një nga parakushtet kryesore për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe social në vend.
Ai nënvizoi se Ministria e Ekonomisë dhe Punës po punon aktivisht në Ligjin e ri të Marrëdhënieve të Punës, i cili do të harmonizohet me standardet evropiane dhe do të sjellë zgjidhje të reja për mbështetjen e familjeve dhe balancimin e jetës profesionale me atë familjare.
“Me zgjidhjet e reja ligjore po vendosim masa konkrete për mbrojtjen e prindërve dhe fuqizimin e grave në tregun e punës. Po shqyrtojmë mundësinë që prindërit të kenë gjithsej 13 muaj mungesë të paguar, të mbuluar përmes kompensimit shtetëror, në përputhje me direktivat evropiane për balancin punë-familje”, deklaroi Durmishi.
Ministri bëri të ditur se ligji i ri parasheh edhe të drejtën e mungesës së paguar për kontrollet para lindjes gjatë shtatzënisë, mbrojtje më të madhe për punëtorët e natës, si dhe barazim të të drejtave ndërmjet punëtorëve me orar të pjesshëm dhe atyre me orar të plotë.
Sipas tij, këto reforma nuk janë vetëm avancim i të drejtave të punëtorëve, por investim direkt në sigurinë ekonomike të familjeve dhe në rritjen e pjesëmarrjes së grave në ekonomi.
Durmishi theksoi gjithashtu se përmes Planit operativ të punësimit, Ministria po realizon masa konkrete për mbështetjen e grave, të rinjve dhe të papunëve afatgjatë, me fokus në aktivizimin dhe fuqizimin ekonomik të tyre.
Në fund, ministri apeloi për bashkëpunim më të madh ndërinstitucional dhe partneritet ndërmjet institucioneve, sektorit privat, komunitetit akademik dhe organizatave civile, duke theksuar se vetëm përmes një qasjeje të koordinuar mund të ndërtohet një sistem i qëndrueshëm dhe funksional i kujdesit në vend.



