Takim koordinues për Agjendën e Reformave, Sali: Përkushtim për integrim më të shpejtë në BE

Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, ka bërë të ditur se sot është mbajtur një takim koordinues kushtuar Agjendës së Reformave, në të cilin janë diskutuar prioritetet kryesore, aktivitetet aktuale dhe hapat e ardhshëm në procesin e reformave evropiane.
Sipas Saliut, fokusi i diskutimeve ka qenë forcimi i efikasitetit institucional, zbatimi i reformave strategjike dhe avancimi i bashkëpunimit ndërinstitucional, me synim përshpejtimin e procesit të integrimit evropian dhe përmbushjen e standardeve të Bashkimit Evropian.
“Si Zëvendëskryeministër i Parë dhe ministër për Çështje Evropiane, mbetem i përkushtuar që përmes koordinimit të ngushtë dhe përgjegjësisë së përbashkët të vazhdojmë me reforma konkrete që sjellin rezultate të prekshme për qytetarët dhe e afrojnë Maqedoninë e Veriut drejt Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Sali.
Ai ka theksuar se institucionet do të vazhdojnë me koordinim të përbashkët për të çuar përpara procesin reformues dhe për të përmbushur obligimet në rrugën eurointegruese të vendit.


