BE-ja miraton 65.7 milionë euro nga Plani i Rritjes për Maqedoninë e Veriut

Komisioni Evropian ka vënë në dispozicion 49 milionë euro për Shqipërinë, 44.2 milionë euro për Malin e Zi dhe 65.7 milionë euro për Maqedoninë e Veriut në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, raportoi N1.
Transaksionet vijnë pas kërkesës së tretë për pagesë dhe vlerësimit pozitiv të Komisionit për hapat reformues të zbatuar në fushat e konkurrueshmërisë së biznesit dhe inovacionit në Shqipëri dhe Mal të Zi, si dhe në arsim dhe digjitalizim në Maqedoninë e Veriut, njoftoi Komisioni Evropian.
“Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i miratuar në vitin 2023, synon të sjellë përfitimet e anëtarësimit për vendet partnere në rajon edhe para anëtarësimit të tyre në BE, duke synuar integrimin e tyre në tregun unik të BE-së, përmirësimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal, thellimin e reformave të lidhura me BE-në dhe rritjen e financimit para-anëtarësues. Kjo, nga ana tjetër, përshpejton procesin e zgjerimit dhe rritjen e ekonomive partnere,” rikujtoi Brukseli.
Me pagesën e sotme, shuma totale e shpërndarë në kuadër të këtij fondi arrin në 212.8 milionë euro për Shqipërinë, 89.3 milionë euro për Malin e Zi dhe 142.1 milionë euro për Maqedoninë e Veriut.
Komisioni Evropian i shpërndan fondet nga ky Plan i Rritjes në mënyrë individuale për secilin vend dhe vetëm pasi të plotësohen kushtet specifike të përcaktuara në “Agjendën e Reformave”, dokument që përfshin reformat konkrete që secili vend ka marrë përsipër.
Ndryshe nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, të cilat i kanë përmbushur kushtet për këtë këst, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina janë përjashtuar nga kjo raund, pasi ende nuk kanë përmbushur plotësisht reformat e kërkuara që janë kusht për shpërndarjen e këtyre fondeve.
Serbia aktualisht pret këstin e dytë prej 163.1 milionë euro dhe të tretin prej 265 milionë euro. Fondet për Serbinë nuk janë humbur përfundimisht, por janë të bllokuara derisa të përmbushen kushtet e nevojshme, pas së cilës Komisioni mund të miratojë shpërndarjen për Beogradin. Serbia ka bërë disa hapa pas pas miratimit të ligjeve kontroverse për gjyqësorin.



