Inspektorati i Tregut me kontrolle të shtuara: Mbi 600 mbikëqyrje dhe mbi 2,1 milionë denarë gjoba

Inspektorati Shtetëror i Tregut, në periudhën nga 11 deri më 17 maj 2026, ka zhvilluar një aksion intensiv në terren në mbarë vendin, gjatë të cilit janë realizuar gjithsej 626 kontrolle inspektuese.
Si rezultat i parregullsive të konstatuara, inspektorët kanë shqiptuar 94 urdhërpagesa kundërvajtëse, me vlerë totale prej 2.167.702 denarësh.
Pjesa më e madhe e kontrolleve është fokusuar në disa fusha kyçe ligjore. Sipas të dhënave, numri më i madh i mbikëqyrjeve është realizuar në bazë të Ligjit për Tregti, ku janë kryer 200 kontrolle dhe janë shqiptuar 21 gjoba. Pason Ligji për Disiplinë Financiare me 134 kontrolle dhe 36 urdhërpagesa, që paraqet edhe një nga fushat më të sanksionuara gjatë kësaj periudhe.
Një pjesë e konsiderueshme e aktiviteteve inspektuese është përqendruar edhe në sektorin e gastronomisë, ku janë realizuar 74 kontrolle dhe janë shqiptuar 19 gjoba. Në kuadër të Ligjit për Zejtari janë zhvilluar 61 kontrolle me 3 urdhërpagesa kundërvajtëse, ndërsa Ligji për Mbrojtje nga Pirja e Duhanit ka rezultuar me 22 kontrolle dhe 6 sanksione. Nën mbikëqyrje të veçantë ka qenë edhe Ligji për Metrologji, ku janë kryer 11 kontrolle dhe janë shqiptuar 4 gjoba.
Përveç këtyre fushave, shërbimet inspektuese kanë vepruar edhe mbi baza të tjera ligjore, ndërsa në raste të caktuara nuk janë konstatuar shkelje që do të çonin në sanksione.
Në të njëjtën periudhë janë shqiptuar edhe 38 vërejtje, me të cilat një pjese të subjekteve u është dhënë afat për harmonizim me rregulloret, pas së cilës do të pasojnë edhe kontrolle shtesë.
Nga Inspektorati bëjnë të ditur se aktivitetet vazhdojnë me intensitet të shtuar, si në kontrollet e rregullta ashtu edhe sipas denoncimeve nga qytetarët dhe institucionet, me qëllim sigurimin e respektimit të plotë të dispozitave ligjore.

