VLEN: BDI për 20 vite manipuloi me gjuhën shqipe dhe të drejtat e studentëve

Partia VLEN ka reaguar pas protestës së sotme të studentëve, duke theksuar se problemi i moszhvillimit të provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe është pasojë e mosveprimit institucional gjatë qeverisjes së BDI-së.
Nga VLEN thonë se protesta është e drejtë demokratike dhe askush nuk e konteston atë, por sipas tyre, problemi që sot ngritet nga studentët është dashur të ishte zgjidhur vite më parë nga ata që kanë qenë në pushtet.
“Sot jemi këtu sepse e vërteta duhet të thuhet siç është: studentët protestuan kundër një padrejtësie nga koha e BDI-së. Të gjithë shqiptarët e dinë se provimi i jurisprudencës asnjëherë nuk është zhvilluar në gjuhën shqipe”, thuhet në reagimin e VLEN-it.
Nga partia kanë akuzuar ish-funksionarët e BDI-së, Musa Xhaferin dhe Blerim Bexhetin, se po përpiqen të politizojnë protestën, ndonëse sipas tyre, pikërisht ata kanë pasur mundësinë ta zgjidhin këtë çështje gjatë viteve të qeverisjes së tyre.
VLEN njofton se tashmë ka nisur procesi për zgjidhjen e problemit dhe se në Qeveri është zhvilluar takim ndërmjet kryeministrit Hristijan Mickoski dhe liderëve të koalicionit VLEN.
“Studentët kërkuan që provimi i jurisprudencës të mbahet në gjuhën shqipe dhe ne po punojmë që të gjitha provimet profesionale të jenë edhe në SHQIP”, theksojnë nga VLEN.
Nga koalicioni apeluan që studentët të mos bien pre e manipulimeve politike, duke shtuar se çështja tashmë është marrë seriozisht në trajtim institucional dhe se zgjidhja pritet shumë shpejt.


