Ministri ekstremist izraelit Smotrich: Po e vrasim idenë e shtetit palestinez duke rrënuar ndërtesa në Bregun Perëndimor

Ministri ekstremist izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, ka bërë deklarata të forta lidhur me politikën izraelite në West Bank, duke thënë se gjatë mandatit aktual “ideja e një shteti palestinez po vritet de facto”.
Në një deklaratë publike, Smotrich tha se sipas tij në terren është vërejtur një ndryshim i qartë në dinamikën e ndërtimit, ku ndërtimet palestineze që ai i cilësoi si të paligjshme në Bregun Perëndimor janë ndalur.
Ai theksoi se për herë të parë është përmbysur trendi, me më shumë rrënime objektesh sesa ndërtime të reja.
“Për herë të parë, ne kemi përmbysur trendin: më shumë rrënime sesa ndërtime. Kjo do të thotë se drejtimi është ndryshuar”, tha ai.
Sipas tij, autoritetet izraelite po ndërmarrin masa të ashpra kundër ndërtimeve, përfshirë edhe rrënimin e ndërtesave shumëkatëshe.
Smotrich argumentoi se këto veprime krijojnë efekt frikësues ndaj aktivitetit ndërtimor, duke shtuar se “askush nuk dëshiron të investojë në një fond humbës”.
Ai gjithashtu njoftoi se Izraeli po lëviz drejt një procesi të ri të regjistrimit të tokave në Bregun Perëndimor, një iniciativë që, sipas tij, nuk është zbatuar që nga periudha pas Luftës Gjashtëditore.
Ministri izraelit e paraqiti këtë si një hap administrativ me ndikim afatgjatë në menaxhimin e tokave në territor.
Deklaratat e tij pritet të shkaktojnë reagime të reja ndërkombëtare, pasi çështja e Bregut Perëndimor mbetet një nga pikat më të ndjeshme të konfliktit izraelito-palestinez dhe një nga temat kryesore në diskutimet për zgjidhjen me dy shtete.



