Ligjvënësja amerikane riprezanton rezolutën për njohjen e Nakbës palestineze

Përfaqësuesja amerikane Rashida Tlaib riprezantoi të enjten një rezolutë që njeh Nakbën dhe riafirmon të drejtën e kthimit për refugjatët palestinezë, transmeton Anadolu.
“Nakba nuk ka përfunduar kurrë”, tha Tlaib në një deklaratë.
“Sot, regjimi i aparteidit izraelit po kryen gjenocid në Gaza, po fshin me dhunë komunitete të tëra në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe në Kuds, dhe po bombardon kampet e refugjatëve palestinezë në Liban. Është një fushatë për të fshirë palestinezët nga ekzistenca”, tha ajo.
Rezoluta, e titulluar “Njohja e Nakbës së vazhdueshme dhe të drejtave të refugjatëve palestinezë”, vjen para përvjetorit të 78-të të Nakbës më 15 maj.
Termi arab “Nakba”, që do të thotë “katastrofë”, i referohet shpërnguljes së qindra mijëra palestinezëve gjatë luftës së vitit 1948 dhe krijimit të shtetit të Izraelit.
Tlaib gjithashtu akuzoi kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe qeverinë e tij se po kërkojnë zhvendosjen e përhershme të palestinezëve nga Rripi i Gazës dhe për zgjerimin e kërcënimeve ushtarake në Libanin jugor.
“Paqja e vërtetë duhet të ndërtohet mbi drejtësi dhe mbi të drejtën e patjetërsueshme të kthimit për refugjatët palestinezë”, tha ajo.
Rezoluta është bashkësponsorizuar nga disa ligjvënës demokratë, përfshirë Alexandria Ocasio-Cortez, Ilhan Omar, Ayanna Pressley dhe Betty McCollum.



