Arrestohen tre persona nga Shkupi për shantazh ndaj një banori të Dellçevës, i kërkuan 10 mijë euro

Tre persona nga Shkupi janë arrestuar në kuadër të aksionit policor “Pastruesi”, nën dyshimin për shantazh dhe kërcënime ndaj një banori të Dellçevës, nga i cili dyshohet se kanë kërkuar 10 mijë euro.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), në aksion janë kryer bastisje në dy lokacione, ndërsa nga liria janë privuar Z.B. (61), M.B. (35) dhe B. (43).
“Sipas kallëzimit, disa persona nga Shkupi i kanë kërcënuar me jetë dhe me dhunë fizike një banor të Dellçevës, duke kërkuar prej tij që t’u paguante 10.000 euro. Në të kundërtën, e kanë kërcënuar se do të publikonin materiale komprometuese”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Aksioni është realizuar pas hapjes së një lënde nga Prokuroria Themelore Publike në Dellçevë për veprat penale “shantazh” dhe “rrezikim i sigurisë”.
Gjatë bastisjeve, policia ka gjetur edhe një pistoletë ilegale të markës “M57”, me kalibër 7,62 milimetra.
“Pas kontrolleve të kryera, është konstatuar se arma e ka origjinën nga një vepër penale e ‘vjedhjes së rëndë’, e kryer në territorin e SPB Shkup”, bëhet e ditur nga MPB-ja.
Nga ministria njoftojnë se pas dokumentimit të plotë të rastit do të paraqiten kallëzimet përkatëse penale ndaj personave të përfshirë.



