Florentino Perez-it i del një kundërshtar, ja cili është sfiduesi i mundshëm në garën për president

Biznesmeni spanjoll, Enrique Riquelme, po shqyrton seriozisht mundësinë për të kandiduar në zgjedhjet presidenciale të Real Madridit, të cilat pritet të shpallen së shpejti pas njoftimit surprizë të bërë nga presidenti aktual, Florentino Pérez.
Sipas medieve spanjolle, lajmi për zgjedhjet e parakohshme e kapi në befasi 37-vjeçarin, i cili ndodhej në një fluturim nga Panamaja drejt Meksikës, vend ku jeton aktualisht. Riquelme, president dhe pronar i grupit energjetik ‘Cox Energy’, ka vendosur tashmë të udhëtojë drejt Madridit për t’u takuar me ekipin e tij të besuar dhe për të analizuar mundësitë reale të kandidimit.
Kjo nuk është hera e parë që emri i tij lidhet me drejtimin e klubit madrilen. Edhe në vitin 2021 ai kishte menduar të hynte në garë, por në fund nuk e konkretizoi kandidaturën. Megjithatë, projekti për të marrë drejtimin e Realit duket se nuk është braktisur asnjëherë.
Situata aktuale nuk është aspak e lehtë për këdo që dëshiron të sfidojë Florentino Perez-in. Kandidatët kanë vetëm dhjetë ditë kohë për të formuar një bord drejtues me të paktën nëntë persona. Për më tepër, zëvendëspresidenti duhet të ketë minimumi 15 vite si anëtar i klubit, ndërsa kandidati për president duhet të ketë të paktën 20 vite anëtarësi.
Një tjetër pengesë e madhe është garancia financiare. Kandidatët duhet të sigurojnë një garanci prej 15 për qind të buxhetit të klubit, që përkthehet në rreth 187 milionë euro mbi një buxhet total prej 1.2 miliardë eurosh.
Burime pranë biznesmenit bëjnë të ditur se Riquelme po e studion seriozisht këtë mundësi, pavarësisht angazhimeve të mëdha në biznes. Kompania e tij realizoi së fundmi blerjen e Iberdrola Mexico për rreth katër miliardë euro, një nga operacionet më të rëndësishme të muajve të fundit.
I lindur në Cox të Alicantes, Enrique Riquelme vjen nga një familje e lidhur ngushtë me Realin. Babai i tij ka qenë pjesë e bordit drejtues në kohën e Ramón Calderón. Falë kësaj lidhjeje familjare, ai ka më shumë se 20 vite si anëtar i klubit, çka e bën të kualifikuar për të kandiduar në postin e presidentit të Real Madridit.



