Janevska paralajmëron licencimin e psikologëve shkollorë, do të diskutohet ndalimi i telefonave gjatë mësimit në shkollat e mesme

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës paralajmëroi licencimin e psikologëve shkollorë, me qëllim që ata të mund të identifikojnë lloje të ndryshme problemesh nëpër shkolla dhe të ndërmarrin masa përkatëse. Ajo tha se nga Oda e Psikologëve do të kërkohet organizimi i trajnimeve shtesë për psikologët, pasi disa prej tyre kanë studiuar sipas programeve të vjetra, e të tjerët sipas programeve të reja.
Lidhur me rastet e pedofilisë mes mësimdhënësve, Janevska deklaroi se në arsim ka shumë probleme, por ky është një nga më të rëndët dhe po ndërmerren masa për përballimin e tij. Sipas saj, pas rasteve të njohura në opinion ka vepruar Inspektorati Shtetëror i Arsimit, ndërsa rastet janë paraqitur edhe në polici dhe në prokurori..
“Apeloj edhe një herë te mësimdhënësit që janë kolegë të atyre që kryejnë vepra të paligjshme, por njëkohësisht janë edhe mësues të nxënësve që duhet të mbrohen nga persona që kryejnë veprime të papranueshme. Do ta forcojmë provimin e praktikës, sepse aty nevojiten ndryshime, dhe paralelisht do të nisim iniciativë për licencimin e psikologëve, roli kryesor i të cilëve do të jetë identifikimi i çdo problemi në shkollë dhe marrja e masave. Licencimi do të përfshijë të gjithë punën e tyre. Ekzistojnë edhe mjete të tjera që ne i zbatojmë. Çdo gjë që vërehet raportohet te institucionet përkatëse”, deklaroi Janevska.
Në lidhje me paralajmërimin për vendosjen e kujdestarive të mësimdhënësve në korridoret dhe oborret e shkollave për të siguruar një ambient të qetë, Janevska tha se kjo nuk është praktikë e re dhe se në disa shkolla tashmë funksionon.
“Por në shumë shkolla nuk funksionon. Shkresa është dërguar dhe ne vetëm po i rikujtojmë praktikat e mira, si në vendin tonë ashtu edhe jashtë tij. Ata janë njerëzit përgjegjës për sjelljen e nxënësve dhe për ambientin e qetë në shkollë. Megjithatë dua të theksoj se fëmijët nuk bëhen agresivë në shkolla, por vijnë nga jashtë të mbushur me agresivitet. Prandaj përgjegjësia nuk është vetëm e mësuesve, por e të gjithë shoqërisë, dhe duhet të punohet edhe me prindërit dhe shërbimet sociale. Problemi është kompleks dhe duhet të trajtohet nga të gjitha anët”, shtoi Janevska.
Sa i përket ndalimit të posedimit të telefonave mobil gjatë mësimit, ajo tha se në shumicën e shkollave drejtorët dhe mësimdhënësit tashmë kanë ndërmarrë masa, ku nxënësve u merren telefonat dhe u kthehen gjatë pushimeve.
“Duke pasur parasysh se e gjithë vendi nuk është i mbuluar me rrjet interneti, tabela të mençura dhe tableta, nëse mësimdhënësi vlerëson se përdorimi i telefonit është i nevojshëm për mësimin, atëherë ai do të japë leje të posaçme. Mendoj se kjo mënyrë e menaxhimit të telefonave në shkolla është e mirë. Problemi është se nxënësit i marrin telefonat nga prindërit jashtë shkollës dhe më pas ato përdoren pa kontroll”, tha Janevska.
Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, paralajmëroi se brenda 15 ditësh do të nisë të funksionojë mbështetja psikologjike falas në shkollat e mesme, në bashkëpunim mes një operatori të jashtëm dhe Qytetit të Shkupit.
Ai u pajtua me ministren Janevska se problemi nuk ndodh vetëm në shkolla, por se këto dukuri shfaqen edhe gjatë vandalizimit të këndeve për fëmijë dhe pajisjeve urbane në qytet.
“Nëse duam t’i zgjidhim problemet në plan afatgjatë, duhet të zhvillojmë një strategji që do të sjellë efekte pozitive. Rrënjën duhet ta kërkojmë në familje dhe fillimisht aty duhet t’i kushtohet vëmendje, të shihet nga burojnë agresiviteti dhe sjellja devijante e individëve ose grupeve. Paralelisht duhet të punohet me familjet dhe profesorët, por shumë duhet të punohet edhe me fëmijët, si në shkollat fillore ashtu edhe në ato të mesme”, deklaroi Gjorgjievski.
Ai theksoi se gjatë kohës kur ishte kryetar i Komunës së Kisella Vodës nuk lejoheshin pajisjet elektronike gjatë mësimit dhe se komuna kishte qenë ndër të parat që ndaloi përdorimin e telefonave mobil.
“Kjo praktikë është mirë të zbatohet edhe në shkollat e mesme dhe për këtë do të bisedojmë me të gjithë drejtorët e shkollave të mesme. Aty ku do të ketë nevojë për përdorim dhe do të jetë në përputhje me mësimin, do të lejohet me autorizim të posaçëm nga mësimdhënësit, siç tha edhe ministrja, ndërsa gjithçka tjetër do t’i kushtohet mësimit gjatë orës”, deklaroi kryetari i Qytetit të Shkupit, në kompetencat e të cilit janë shkollat e mesme në kryeqytet.
Gjorgjievski njoftoi gjithashtu se këtë vit, si projekt-pilot, Qyteti i Shkupit planifikon të organizojë një festë të përbashkët mature për nxënësit e të gjitha shkollave të mesme, ku maturën do ta festojnë së bashku nxënës nga të gjitha përkatësitë etnike, profilet arsimore dhe kategoritë sociale.



