Lufta po i bën të papërballueshme edhe dasmat më modeste në Gazë

- KTV
- LAJMET E MBRËMJES
- KONFRONT
- INTERAKTIV
- 60 MINUTA
- tre8tre
- PIKË me Veton Surroin
- SOT
- Rose
- Fiks n’Kohë
- Jeta SOT
- 038
- EXPRESS
- Flladi Veror
- JETA
- TE LINDA
- Amerikania përsëri në Kosovë
- FAKTE me Adnan Merovcin
- TEMPUS
- BETIMI PËR DREJTËSI
- SPORTI NË KTV
- PROGRAMI FLUTURUES I FËMIJËVE
- NËPËR FILM
- Hapësirë e sponsorizuar
Follow Koha.net
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë
Lufta po i bën të papërballueshme edhe dasmat më modeste në Gazë
- Nga: Al Jazeera
- Përktheu: Blerta Haxhiu
- 9 maj 2026 08:50
- Shpërndaje në:
Mes luftës, zhvendosjes dhe krizës së rëndë ekonomike, shumë çifte të reja në Gazë po detyrohen ta nisin jetën martesore nëpër tenda dhe në kushte jashtëzakonisht të vështira. Çmimet e larta të artikujve bazë, mungesa e mallrave dhe varfëria e thellë kanë bërë që edhe organizimi i një dasme modeste të kthehet në barrë të rëndë financiare. Për shumë familje palestineze, momentet që dikur shënonin gëzim dhe festë tani shoqërohen me pasiguri, sakrificë dhe dhimbje.
Me një shprehje të lodhur në fytyrë, Saja po rregullon pak gjërat e saj personale brenda tendës që i fejuari i saj, Mohammedi, ka përgatitur për dasmën e tyre që pritet të mbahet pas vetëm pak ditësh.
Brenda tendës ndodhen dy dyshekë të hollë në vend të një shtrati të mirëfilltë, një qoshe e vogël gatimi e improvizuar me dru dhe mbulesa najloni, si dhe një banjë e thjeshtë që Mohammedi e ka ndërtuar vetë duke përdorur copa druri dhe fletë plastike.
Çifti, Saja al-Masri, 22 vjeçe, dhe Mohammed Ahliwat, 27 vjeç, u fejuan një vit më parë ndërkohë që familjet e tyre ishin zhvendosur me forcë. Ata vazhdojnë ende të jetojnë në një kamp në Deir el-Balah, në pjesën qendrore të Gazës, pasi janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre si pasojë e luftës shkatërruese të Izraelit në Gaza.
Saja pranoi një prikë modeste, mirëpo edhe atë Mohammedi do ta paguajë me këste.
Megjithatë, edhe ky “fillim i thjeshtë” është bërë jashtëzakonisht i kushtueshëm për Mohammedin dhe për shumë të rinj të tjerë në Gaza, të cilët sipas traditës palestineze pritet të mbulojnë pjesën më të madhe të shpenzimeve kur martohen.
“E bleva tendën për 1.500 shekelë [rreth 509 dollarë], druri më kushtoi afërsisht 2.500 [rreth 850 dollarë], mbulesat najloni kaluan 2.000 [rreth 679 dollarë], ndërsa një banjë e thjeshtë më kushtoi edhe 3.000 shekelë të tjera [rreth 1,019 dollarë]”, i tha Mohammedi Al Jazeeras. Para luftës, apartamentet jepeshin me qira për rreth 250 deri në 300 dollarë në muaj.
“Nuk mjafton që po e filloj jetën time në një tendë dhe në kushte të vështira, por edhe kjo po bëhet jashtëzakonisht e shtrenjtë”, shton Mohammedi, i cili punon punë të rastësishme si shitja e bukës dhe ushqimeve të konservuara apo riparimi i biçikletave.
“Gjithçka që fitoj mezi mjafton për ushqim dhe ujë. U përpoqa të kursej diçka për dasmën, por çmimet janë aq të larta, sikur po organizoja një ceremoni luksoze”.
Para luftës, Mohammedi jetonte në një shtëpi të madhe shtatëkatëshe në Bureij, në Gazën qendrore, dhe kishte një apartament plotësisht të mobiluar me sipërfaqe prej 170 metrash katrorë.
“Kur kujtoj apartamentin tim në shtëpinë tonë që u shkatërrua gjatë luftës, ndiej një trishtim të thellë … Unë dhe vëllezërit e mi kishim secili apartamente të përgatitura plotësisht para martesës”.
“Kishim stabilitet dhe zotëronim ferma shpendësh që furnizonin disa zona të Gazës”, thotë ai me hidhërim. “Sot, po martohem në një tendë”.
Sa i përket vendit ku do të mbahet ceremonia e dasmës, Mohammedi mori me qira një hapësirë të vogël që më parë kishte shërbyer si kafene, pasi nuk kishte mundësi financiare për të marrë një sallë dasmash.
“Një mik më ndihmoi ta marr me qira këtë vend të vogël … për 1.500 shekelë [509 dollarë]”, thotë ai. “Nuk është një shumë e vogël duke pasur parasysh sa i thjeshtë është vendi. Sallat e dasmave kushtojnë më shumë se 8.000 shekelë [rreth 2,717 dollarë]”.
Situata e Mohammedit nuk është e pazakontë në Gazë. Shumë dasma tashmë mbahen nëpër tenda, me vetëm përgatitjet më bazike, mes rritjes së jashtëzakonshme të çmimeve dhe përkeqësimit të kushteve elementare të jetesës si pasojë e luftës dhe krizës ekonomike që e ka shoqëruar atë.
Papunësia në Gazë ka arritur në 80 për qind, sipas Ministrisë së Punës në Gazë, ndërsa shkalla e varfërisë është rritur në 93 për qind.
Përgatitje të papërfunduara
Saja i përmban lotët ndërsa dëgjon të fejuarin e saj duke folur.
Ai që duhej të ishte momenti më i lumtur i jetës së saj ndihet i paplotë, dhe ajo nuk ka asgjë që mund t’i ofrojë për t’ia lehtësuar barrën Mohammedit.
Ajo e kupton se situata është jashtë kontrollit të tyre dhe është përpjekur të qëndrojë e qetë. Por vështirësia për të gjetur një fustan nusërie me një çmim të përballueshëm e ka thyer emocionalisht.
Dyqanet e fustaneve i kanë ofruar çmime jashtëzakonisht të larta vetëm për ta marrë me qira një fustan – më shumë se 2.000 shekelë (679 dollarë) për një natë të vetme.
“Të gjithë thonë se kalimet kufitare, mallrat dhe koordinimi janë shumë të kushtueshme, prandaj gjithçka është bërë tepër e shtrenjtë”, shpjegon Saja.
Në përpjekje për të gjetur një zgjidhje, Mohammedi siguroi një fustan modest nga një e njohur, “vetëm që dasma të realizohej”, duke e vendosur Sajan në atë që ajo e përshkruan si “një zgjedhje të dhimbshme”.
“Kur e provova fustanin dje, u ndjeva aq keq … shpërtheva në lot. Ishte i konsumuar, i grisur në skaje dhe jashtë mode”, thotë Saja me zërin që i dridhet.
“Mbrëmë fjeta me lot në faqe … por nuk kemi çfarë të bëjmë. Kjo është ajo që mund të gjejmë”.
Ajo kujton se dasma është shtyrë për një vit të tërë, pasi përgatitjet mbeteshin vazhdimisht të papërfunduara.
“Situata nuk përmirësohet … vetëm sa bëhet më e rëndë. Sa herë që themi të presim edhe pak, asgjë nuk ndryshon. Prandaj vendosëm të martohemi javën e ardhshme”, thotë Saja, e cila kishte studiuar dizajn grafik për një vit para se lufta ta detyronte t’i ndërpriste studimet.
Që atëherë, ajo është zhvendosur bashkë me familjen e saj në një rrugëtim të gjatë që nisi në Beit Hanoon, në veri të Gazës, vazhdoi nëpër Gaza City dhe përfundoi në Deir el-Balah.
Nuk është vetëm fustani ai që e shqetëson. Sallonet e bukurisë kërkojnë pothuajse 700 shekelë (238 dollarë) për përgatitjen e një nuseje.
“Na thonë se produktet kozmetike janë shumë të shtrenjta dhe të vështira për t’u gjetur, energjia elektrike dhe gjeneratorët kushtojnë shumë, karburanti është i shtrenjtë … gjithçka është e kushtueshme, dhe njerëz si ne janë ata që e paguajnë çmimin”.
“Çfarë kemi bërë ne që ta meritojmë këtë?” thotë ajo.
“Pa asnjë ndjenjë gëzimi”
Nëna e Sajas, Samira al-Masri, 49 vjeçe, ndërhyn me qetësi duke u përpjekur ta ngushëllojë të bijën, duke thënë se kushtet janë të njëjta për të gjithë në Gaza, ku shumica e palestinezëve janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre të shkatërruara nga Izraeli dhe ku më shumë se 72.000 njerëz janë vrarë që nga tetori i vitit 2023.
“I martova katër vajzat e mia: Ilhamin, Doaan, Ameerahn dhe tani Sajan, gjatë luftës, pa asnjë gëzim”, thotë Samira me zërin që i dridhet.
“Çdo dasmë më është dukur si një tragjedi”.
“Të gjitha e filluan jetën martesore në të njëjtën mënyrë … nëpër tenda, me pothuajse asgjë”.
Samira përshkruan dhimbjen e saj të thellë për faktin se nuk ka mundur t’i festojë siç duhet martesat e vajzave të saj dhe as t’u ofrojë atyre dasmën që kishin ëndërruar.
“Siç mund ta shihni, nuk ka mjaftueshëm rroba, nuk ka gjëra të duhura për një nuse … nuk ka një fustan të përshtatshëm, madje as dollap apo shtrat”, thotë ajo, ndërsa ndihmon Sajan të rregullojë pak sendet e saj personale.
Mohammedi shton se mobiliet e dhomës së gjumit tani kushtojnë mes 12.000 dhe 20.000 shekelëve (4,076 deri në 6,793 dollarë), ndërsa para luftës një komplet i tillë kushtonte rreth 5.000 shekelë.
“Çmime të pabesueshme, dhe në treg mezi gjenden mallra. U detyruam të mjaftohemi me dyshekë në tokë”.
Asnjë shenjë përmirësimi
Në Gaza, dasmat nuk janë më raste gëzimi; ato janë përvoja të dhimbshme që përsëriten vazhdimisht.
Pavarësisht dëshirës së natyrshme si nënë për ta martuar vajzën e saj dhe për t’i dhënë një fillim dinjitoz, Samira e gjen veten të pafuqishme, e paaftë madje edhe t’i kërkojë më shumë dhëndrit.
“Situata nuk është normale … nuk mund ta vendos nën presion apo ta pyes se çfarë ka sjellë ose çfarë nuk ka sjellë. Të gjithë e dinë gjendjen … të gjithë po e jetojmë atë”.
Shqetësimet e saj nuk kufizohen vetëm te vajzat, por shtrihen edhe te djali i saj 26-vjeçar, i cili po i afrohet moshës së martesës.
“E vendos veten dhe djalin tim në pozitën e dhëndrit: Çfarë ka ai? Asgjë. E njëjta situatë. Sa herë që shoh kostot, tërhiqem nga ideja për ta martuar”.
Mes këtij realiteti, Samira shpreh një dhimbje të thellë për të rinjtë dhe të rejat që po përpiqen të martohen sot.
“Lutem që Zoti t’i ndihmojë … kohët tona kanë qenë shumë më të lehta … edhe shpenzimet më të vogla tani janë bërë të papërballueshme”.
Ndërsa martesa e saj po shndërrohet nga një moment gëzimi në një përballje të rëndë me realitetin, Saja përpiqet ta mbajë veten të fortë edhe pse nuk ka zgjedhje të vërteta.
Ajo pranon se nuk është e lehtë, por prania e Mohammedit i jep forcë.
“Ndonjëherë ndiej se ky është një fillim i mjerë … por kur e shoh Mohammedin pranë meje, e kapërcej trishtimin”, thotë ajo me një buzëqeshje të lehtë, ndërsa shikon burrin e saj të ardhshëm.
Ka shumë pak shenja që rrethanat do të përmirësohen së shpejti për çiftin. Megjithatë, ata përpiqen të gjejnë një ekuilibër mes realitetit të ashpër dhe një shprese të brishtë.
“Mendoj se gjërat do të mbeten kështu, ashtu siç na është shkruar”, thotë Saja, “duke kaluar nga një tendë në tjetrën”.


