Ofertë 2 miliardë euroshe për rafinerinë serbe të naftës, kush është blerësi misterioz i NIS

Dy miliardë euro, të cilat, sipas raportimeve, janë siguruar nga një biznesmen serb, kanë rihapur çështjen se kush do të jetë pronari i ri i Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS).
Në një prononcim të shkurtër për Radion Evropa e Lirë, Ranko Mimoviç, konfirmoi se ka dorëzuar një ofertë për shumicën e aksioneve në NIS, të cilat aktualisht janë në pronësi të investitorëve rusë, shkruan REL.
Nga ana tjetër, gjiganti energjetik rus, Gazprom Neft, deklaroi se, tash për tash, po zhvillon negociata për shitjen vetëm me kompaninë hungareze të naftës, MOL.
Për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, oferta e biznesmenit serb është “joserioze”.
Kompania “Senator Dva” e Ranko Mimoviçit, e cila, sipas raportimeve, ka dërguar ofertën te Gazprom Neft-i, është themeluar në Serbi në mes të vitit të kaluar, ndërsa për aktivitetin e saj ka shumë pak informacione publike.
Mimoviç është përmendur më herët në publik si biznesmen me një sërë kompanish në Serbi dhe në rajon – shumë prej të cilave janë mbyllur.
Veprimtaria e tij në Slloveni është shoqëruar me dyshime për mashtrim dhe pastrim parash.
Biznesmeni pa përgjigje për detajet e ofertës
NIS, për shkak të pronësisë shumicë ruse, është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës – gjë që, muajt e fundit, ia ka vështirësuar funksionimin prodhuesit të vetëm të naftës dhe derivateve në Serbi.
Për heqjen e sanksioneve, Uashingtoni kërkon largimin e kompanive ruse të energjisë nga NIS-i, ndërsa afati për këtë është 22 maji.
Derisa Moska po negocion shitjen me kompaninë hungareze MOL, në publik u shfaq edhe “lojtari i dytë”.
Agjencia e lajmeve Reuters raportoi më 6 maj se biznesmeni Ranko Mimoviç, përmes një kompanie deri tani të panjohur për publikun, u ka ofruar pronarëve rusë dy miliardë euro për shumicën e aksioneve në NIS.
Ai, gjithashtu, deklaroi se pronarët rusë e kanë “pranuar në parim” ofertën dhe se për këtë e ka informuar edhe Zyrën për Kontrollin e Aseteve të Huaja (OFAC) të Departamentit amerikan të Thesarit.
Kjo, sipas tij, ka ndodhur gjashtë muaj më parë.
Radio Evropa e Lirë i dërgoi pyetje përmes emailit, lidhur me ofertën dhe burimin e kapitalit për blerjen e mundshme të pjesës ruse në NIS, por Mimoviç nuk u përgjigj.
Nga zyra ligjore që e përfaqëson atë, thanë shkurtimisht për REL-in se “në këtë fazë vetëm mund t’i konfirmojnë të gjitha pretendimet e publikuara nga Reuters”.
Moska thotë se po negocion vetëm me Budapestin
Kompanitë ruse të energjisë, Gazprom Neft dhe Gazprom, kanë mbi 56 për qind të aksioneve në NIS.
Aktualisht thonë se po zhvillojnë negociata për shitjen vetëm me kompaninë hungareze, MOL.
“Gazprom Neft po përgatit në mënyrë aktive shitjen e pjesës së tij në NIS te kompania hungareze, MOL. Tani, janë duke u zhvilluar procedurat e nevojshme korporative dhe rregullatore. Kompania nuk po zhvillon asnjë negociatë tjetër për këtë çështje”, thanë nga kjo kompani për agjencisë Reuters.
MOL, gjithashtu, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se negociatat me pronarët rusë janë duke vazhduar.
Vuçiç nuk e merr seriozisht ofertën
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se nuk e njeh biznesmenin Mimoviç dhe se nuk është i informuar për synimet e tij për blerjen e NIS-it.
Ai, gjithashtu, tha se një gjë e tillë “nuk do të lejohej”.
“I gjeti dikush dy miliardë. Kompani serbe. A jeni seriozë? Nuk është marrë kurrë në jetën e tij me këtë punë dhe tani do ta blejë këtë. Po shteti i Serbisë pyetet, apo jo? Nuk mund ta blesh. Nuk lejon Serbia”, tha Vuçiq më 7 maj, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në Beograd.

