Rregullatori evropian i aviacionit lëshon udhëzime për përdorimin e karburantit amerikan mes rreziqeve në furnizim

EASA tha se ndërprerjet në Lindjen e Mesme dhe Gjirin Persik kanë ndikuar në furnizimet me karburantin Jet A-1, standardi i karburantit të aviacionit që përdoret në të gjithë Evropën

Rregullatori evropian i sigurisë së aviacionit publikoi udhëzime mbi përdorimin e mundshëm të llojeve alternative të karburantit për avionë, ndërsa BE-ja po përgatitet për mungesa të mundshme të furnizimit të lidhura me konfliktin në Lindjen e Mesme, transmeton Anadolu.

 

Agjencia e Sigurisë së Aviacionit e BE-së (EASA) tha se ndërprerjet në Lindjen e Mesme dhe Gjirin Persik kanë ndikuar në furnizimet me karburantin Jet A-1, standardi i karburantit të aviacionit që përdoret në të gjithë Evropën.

 

Për të ndihmuar në menaxhimin e një mungese të mundshme, autoritetet e aviacionit dhe furnizuesit e karburantit po shqyrtojnë përdorim më të gjerë të karburantit Jet A, i cili përdoret zakonisht në Amerikën e Veriut, përfshirë fluturimet që nisen drejt Evropës.

 

EASA tha se ka lëshuar udhëzime të reja për të ndihmuar kompanitë ajrore, aeroportet dhe furnizuesit e karburantit që të menaxhojnë në mënyrë të sigurt përdorimin e karburantit Jet A në Evropë.

 

Agjencia tha se dy llojet e karburantit janë kryesisht të ngjashme, por ndryshojnë në disa karakteristika teknike, si pika e ngrirjes dhe përçueshmëria elektrike, duke kërkuar masa shtesë operative.

 

Ajo paralajmëroi se futja e Jet A në sistemet që tradicionalisht përdorin Jet A-1 mund të krijojë rreziqe sigurie dhe operative nëse nuk koordinohet siç duhet në të gjithë sektorin e aviacionit.

 

Sipas EASA-s, përdorimi i karburantit Jet A do të kërkonte bashkëpunim të ngushtë mes furnizuesve të karburantit, aeroporteve, kompanive ajrore dhe prodhuesve të avionëve.

 

Komisioni Evropian gjithashtu publikoi udhëzime që synojnë të ndihmojnë sektorin e transportit t’i përgjigjet mungesave të mundshme të karburantit për avionë të lidhura me krizën në Lindjen e Mesme.

 

Komisioni tha se deri më tani nuk janë raportuar mungesa të karburantit për avionë në nivel të gjithë BE-së, por nevojiten masa emergjente për të ruajtur sigurinë e aviacionit dhe për të garantuar funksionimin normal të fluturimeve.

 

– IATA mbështet fleksibilitet më të madh në përdorimin e karburantit për avionë

Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA) gjithashtu paralajmëroi se konflikti i zgjatur në Lindjen e Mesme mund të ndërpresë furnizimet globale me karburant aviacioni.

 

Në një postim në faqen e shoqatës, Stuart Fox, drejtor i operacioneve të fluturimit dhe teknike, tha se lejimi i kompanive ajrore evropiane që të kalojnë më lehtë mes karburantit Jet A dhe Jet A-1, siç bëjnë kompanitë në Kanada, do t’u jepte më shumë mundësi kompanive që përballen me mungesa karburanti.

 

Ai shtoi se ky ndryshim do të kërkonte një proces tranzicioni të kontrolluar dhe masa shtesë operative.

 

“Për operatorët, kjo përfshin marrjen parasysh të pikës më të lartë të ngrirjes së Jet A gjatë planifikimit të rrugëve në hapësira ajrore më të ftohta dhe sigurimin që fluturimi të mbetet brenda kufijve të miratuar operativë të avionit”. tha Fox.

 

“Për furnizuesit e karburantit dhe aeroportet, kjo mund të nënkuptojë zbatimin e një procesi të strukturuar të menaxhimit të ndryshimeve për të futur në mënyrë të sigurt një lloj tjetër karburanti, duke përfshirë përditësimin e procedurave, etiketimin e qartë, komunikimin dhe masat e kontrollit të cilësisë”, shtoi ai.

 

Evropa është përballur me rritje të kostove të energjisë dhe karburantit të aviacionit për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme dhe ndërprerjeve të transportit përmes Ngushticës së Hormuzit.

Rafineritë e BE-së zakonisht mbulojnë rreth 70 për qind të kërkesës së bllokut për karburant aviacioni, ndërsa pjesa tjetër importohet, veçanërisht nga vendet e Gjirit.

Muajin e kaluar, drejtori Ekzekutiv i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), Fatih Birol, paralajmëroi se Evropa mund të përballet me mungesa të karburantit për avionë brenda një periudhe të shkurtër nëse ndërprerjet vazhdojnë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button