Britania rikonfirmon mbështetjen për FSK-në dhe rrugën euroatlantike të Kosovës

Zëvendësministri në detyrë i Mbrojtjes në Kosovë, Gegë Lleshi ka pritur në takim bilateral ministrin e Shtetit për Mbrojtje të Mbretërisë së Bashkuar, Lord Vernon Coaker, i shoqëruar nga ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves dhe delegacioni i tij, transmeton Anadolu.

Siç njofton Ministria e Mbrojtjes, në takim mori pjesë edhe zëvendëskomandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjeneralmajor Enver Cikaqi si dhe zyrtarë dhe ushtarakë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.

Gjatë takimit u konfirmua partneriteti strategjik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dhe u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë ndërsa theks i veçantë iu kushtua zhvillimit të kapaciteteve profesionale të FSK-së përmes trajnimeve dhe edukimit ushtarak si dhe forcimit të koordinimit në çështjet e sigurisë.

Zv/ministri Lleshi theksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar në rritjen e efikasitetit dhe kapaciteteve të FSK-së si dhe në avancimin e pozitës së Kosovës në arkitekturën euroatlantike të sigurisë.

Gjatë diskutimeve u trajtuan edhe çështje me interes të përbashkët, përfshirë mbështetjen për Ukrainën, rolin e KFOR-it dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit operacional ndërmjet institucioneve të mbrojtjes.

Po ashtu, u riafirmua përkushtimi i Kosovës për anëtarësim në NATO si dhe gatishmëria për të kontribuuar në operacione paqeruajtëse në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.

Të dy palët u dakorduan për vazhdimin e koordinimit dhe për identifikimin e hapave konkretë për thellimin e mëtejmë të partneritetit bilateral ndërmjet dy vendeve në funksion të paqes, stabilitetit dhe sigurisë së përbashkët.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button