Ish-kryebashkiakja e Barcelonës akuzon Izraelin për tortura dhe krime pas ndalimit në flotën me destinacion Gazën

Ish-kryetarja e Bashkisë së Barcelonës, Ada Colau akuzoi Izraelin për torturë, ndalim të paligjshëm dhe krime kundër njerëzimit pas arrestimit të saj gjatë misionit humanitar me flotilje drejt Gazës vitin e kaluar, raporton Anadolu.
Colau u paraqit para Gjykatës Kombëtare të Spanjës për të ratifikuar një padi të paraqitur kundër anëtarëve të qeverisë së kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe zyrtarëve ushtarakë lidhur me incidentin.
Ajo tha se forcat izraelite e ndaluan flotiljen në ujëra ndërkombëtare në tetor, duke i ndaluar personat në bord pa bazë ligjore. “Pas një ndalimi të paligjshëm, keqtrajtimit dhe mbajtjes pa u respektuar asnjë nga të drejtat tona, ne paraqitëm këtë ankesë sepse qartazi Izraeli nuk ka hapur asnjë hetim për këto shkelje”, u tha Colau gazetarëve.
Colau e përshkroi situatën më të gjerë në Gaza dhe rajon si alarmante, duke thënë se “i gjithë njerëzimi është në rrezik”, ndërsa bëri thirrje që BE-ja ta ndalojë Izraelin nga vazhdimi i asaj që ajo e quajti gjenocid në Gaza.
Ankesa u paraqit së bashku me aktivistë të tjerë, përfshirë këshilltarin e Barcelonës, Jordi Coronas dhe anëtarë të tjerë të ekuipazhit. Avokati i tyre, Jaume Asens tha se gjykatat spanjolle kanë rënë dakord të shqyrtojnë rastin, duke e quajtur një mundësi që viktimat të dëgjohen.
Javën e kaluar, Izraeli ndaloi një tjetër flotilje drejt Gazës në ujëra ndërkombëtare dhe vazhdon të mbajë dy aktivistë, përfshirë spanjollo-palestinezin Saif Abu Keshek.
Bashkëshortja e Abu Keshek, Sally Issa foli me gazetarët jashtë gjykatës të martën.
“Ai është në grevë urie”, tha ajo për bashkëshortin e saj. “Është mirë, por ka përjetuar shumë torturë… pasagjerët e tjerë na thanë se i kanë dëgjuar britmat e tij gjatë gjithë udhëtimit (pas arrestimit)”, shtoi ajo.
Gjithashtu sot, ministri i Jashtëm i Spanjës, Jose Manuel Albares tha se Izraeli nuk ka prova kundër Abu Keshek apo të ndaluarit tjetër, dhe se Spanja ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tij.



