Kurti: Do të rindërtohet Xhamia e Ibrit, e djegur gjatë luftës në vitin 1999

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se do të rindërtohet Xhamia e Ibrit, një monument me rëndësi historike dhe kulturore, e ndërtuar në vitin 1777 dhe e djegur gjatë luftës më 2 maj 1999.

Përmes një njoftimi publik, Kurti informoi se është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit për hartimin dhe zbatimin e projektit të rekonstruktimit të xhamisë.
“Sot, së bashku me Myftiun Naim Tërnava, kryeimamin Vedat Sahiti dhe ministren Saranda Bogujevci, nënshkruam marrëveshjen e bashkëpunimit për hartimin dhe zbatimin e projektit të rekonstruktimit të saj”, deklaroi Kurti.
Ai theksoi se me këtë memorandum, Qeveria e Kosovës po mbështet ringritjen e një objekti me vlerë të veçantë për trashëgiminë historike dhe kulturore të vendit.
“Me këtë memorandum, Qeveria e Republikës së Kosovës mbështet ringritjen e këtij monumenti me rëndësi historike dhe kulturore”, u shpreh kryeministri.
Kurti bëri të ditur gjithashtu se është nënshkruar edhe një memorandum tjetër bashkëpunimi me Bashkësinë Islame të Kosovës, me fokus ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore islame.
“Këto angazhime janë pjesë e përkushtimit tonë të vazhdueshëm për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në vend, pas dëmeve të shkaktuara gjatë luftës së viteve 1998–1999”, theksoi ai.
Sipas Kurtit, investimet në mbrojtjen dhe restaurimin e trashëgimisë kulturore do të vazhdojnë edhe në vitet e ardhshme.



