Ekipi i FSK-së udhëton drejt Gazës

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka dërguar një ekip të FSK-së në Gaza për të realizuar rikonicionin e zonës ku parashihet të operojë kontingjenti kosovar në kuadër të misionit paqeruajtës ndërkombëtar.
Sipas njoftimit, ekipi do të kryejë vlerësimin paraprak të terrenit dhe do të koordinojë aktivitetet e dislokimit të trupave të FSK-së në kuadër të Forcave Stabilizuese Ndërkombëtare (ISF).
Gjatë vizitës, delegacioni ka zhvilluar takime me autoritetet përgjegjëse për administrimin e Gazës dhe me përfaqësues të Qendrës Koordinuese Civilo-Ushtarake (CMCC), e cila vepron nën mbikëqyrjen e Bordit të Paqes, në përputhje me Rezolutën 2803 të OKB-së.
Në këto takime është diskutuar integrimi i kontingjentit të FSK-së, organizimi i operacioneve të përbashkëta dhe koordinimi i mbështetjes logjistike.
FSK ka ritheksuar përkushtimin e saj për të kontribuar në paqe dhe stabilitet global, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.



