VV-ja fton PDK-në e LDK-në t’i propozojnë tre emra për president

Lëvizja Vetëvendosje ka ftuar dy partitë opozitare, Partinë Demokratike dhe Lidhjen Demokratike që të propozojnë tre emra për president, duke ofruar të gjitha nënshkrimet e deputetëve të kësaj partie dhe tërheqjen e kandidaturave të Glauk Konjufcës e Fatmire Mulhaxhës.
Në një njoftim të shtunën, LVV-ja ka bërë të ditur se në mbledhjen e Kryesisë të premten në mbrëmje ka vendosur të ndërmarrë “edhe një hap tjetër me një propozim të ri, konkret dhe përbashkues”.
Në ftesën për dy partitë, VV-ja ka thënë që kandidatët duhet të jenë figura unifikuese, me integritet të lartë dhe jashtë skenës aktuale politike.
“Ftojmë PDK-në dhe LDK-në që së bashku të propozojnë tre emra, nga të cilët do të mund të zgjidhet Presidenti i ri nga legjislatura e 10-të. Këta tre kandidatë duhet të jenë figura unifikuese, me integritet të lartë qytetar e kombëtar, me kontribut të dëshmuar në jetën profesionale dhe shoqërore, dhe jashtë skenës aktuale politike. Për këta të tre do të siguroheshin së paku 90 nënshkrime të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Me atë rast, paraprakisht do të tërhiqeshin nga kandidatura Zëvendës-kryeministri dhe Ministri i punëve të jashtme dhe diasporës Glauk Konjufca e deputetja Dr. Fatmire Mulhaxha-Kollçaku”, thuhet në njoftim të VV-së.
Kuvendi ka afat deri më 28 prill për të zgjedhur presidentin, ose Kosova shkon në zgjedhje të reja parlamentare. VV-ja ka thënë se për shkak të këtij afati, pret përgjigje nga PDK-ja dhe LDK-ja deri të dielën në mbrëmje (26 prill).
“Një zgjidhje duhet të gjendet, sepse ajo është e mundshme. Duhet të përpiqemi dhe angazhohemi së bashku, sepse është detyrë e jona që buron nga përgjegjësia që na e kanë bartur qytetarët e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Ligjvënësit në Kosovë, që nga 25 marsi, kanë pasur mbi një muaj kohë për ta zgjedhur presidentin e ri, pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi një dekret të ish-presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, pas dështimit për zgjedhjen e presidentit në një seancë më 5 mars.
Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para, ose me 61 vota në rundin e tretë, ndërsa nevojiten të paktën 80 deputetë në sallë që seanca të mund të mbahet.
Kryetari i VV-së, Albin Kurti, ka pasur disa takime me udhëheqësit e PDK-së dhe të LDK-së. Ato dështuan. Opozita e akuzon Kurtin se po i do të gjitha pozitat kyçe për vete, ndërsa Kurti ka thënë se u ka ofruar edhe poste qeveritare apo kryeparlamentarin në këmbim të votave për presidentin.
Afati për zgjedhjen e presidentit mbaron më 28 prill. Nëse nuk zgjidhet, Kosova do të shkojë në zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.



