Shuhet akademiku Rexhep Qosja, Gashi: Letërsia shqiptare humbi një mendje të ndritur

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka reaguar për ndarjen nga jeta të akademikut Rexhep Qosja, duke e cilësuar humbjen si një goditje të madhe për kulturën dhe mendimin shqiptar.
“Sot, letërsia shqiptare humbi një nga mendjet më të spikatura, që e ktheu gjuhën në ndërgjegje dhe veprën në pasuri kombëtare. Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të Rexhep Qosja,” theksoi Gashi.
Ai vlerësoi rolin e Qosjes në formësimin e vetëdijes kolektive, duke shtuar se trashëgimia e tij do të mbetet e përhershme: “Qosja do të mbahet mend jo vetëm si autor, por si arkitekt i vetëdijes sonë kolektive. Vepra dhe fjala e tij do të mbeten udhërrëfyes i përhershëm për brezat që vijnë.”
Në fund, Gashi shprehu ngushëllime për familjen dhe gjithë komunitetin kulturor, duke theksuar se kujtimi i tij do të jetojë gjatë.



