Lufta në Lindjen e Mesme godet trafikun ajror: Reduktohen fluturimet, rritet çmimi i kerozinës

Lufta në Lindjen e Mesme tashmë ka ndikim serioz në trafikun ajror. Janë vërejtur shkurtime dhe anulime të fluturimeve, ndërsa çmimi i kerozinës, që nga fillimi i konfliktit në Iran është dyfishuar. Ana Marija Aleksova, kryetarja e Shoqatës së Agjencive Turistike, në një deklaratë për Alsat thotë se, për momentin, situata është e qëndrueshme. Megjithatë, nëse ndodh shtrenjtim, atëherë me shumë gjasë do të jetë nga 20 deri në 30 euro për udhëtar.
“Nga informacionet e deritanishme dhe komunikimi me partnerët, çmimet nuk do të rriteshin më shumë se 20 deri në 30 euro për person. Dhe nëse ndodh një situatë e tillë, agjencitë kanë të drejtë ligjore t’i njoftojnë klientët më së voni 20 ditë para nisjes për rritjen e çmimeve. Mendojmë se kjo nuk do të jetë vendimtare; nëse ka ndryshim të fluturimeve të caktuara, pra nëse për destinacione të caktuara ndërpriten ditë të caktuara, bëhet ndonjë ndryshim e të ngjashme”, deklaroi Ana Marija Aleksova, kryetare e Shoqatës Agjencive Turistike.
Ndërkohë Qeveria thotë se situata është e qëndrueshme dhe se shteti disponon me sasi të mjaftueshme të karburanteve për një periudhë më të gjatë kohore.
“Në këtë moment nuk janë evidentuar sfida në furnizim. Qeveria dhe institucionet përgjegjëse e ndjekin vazhdimisht gjendjen dhe janë në koordinim të rregullt me të gjithë aktorët relevantë në zinxhirin e furnizimit, përfshirë operatorët ekonomikë dhe furnitorët. Sipas analizave aktuale, nuk priten çrregullime në furnizim, as nuk ka indikacione për rreziqe ndaj qytetarëve dhe bizneseve”, thanë nga Qeveria.
– Deri në këtë moment nuk ka sfidë furnizimi
– Sipas analizave nuk pritet krizë në furnizim
Për shkak të krizës së Kerozinës, Lufthansa do të reduktojë rreth 20.000 fluturime deri në tetor, me qëllim kursimin e afërsisht 40.000 tonëve karburant, çmimi i të cilit u rrit ndjeshëm për shkak të luftës në Iran. Kompania paralajmëroi heqjen e një pjese të linjave të shkurtra dhe joekonomike. Masa të ngjashme po ndërmarrin edhe kompani të tjera ajrore. SAS Scandinavian Airlines tashmë anuloi rreth 1.000 fluturime, ndërsa Air France-KLM vendosi kosto shtesë për relacione të gjata. /Alsat.mk/


