Kryediplomatja palestineze: Gjenocidi i Izraelit ndaj popullit të Gazës nuk është ndalur

Ministrja e Punëve të Jashtme e Palestinës, Varsen Aghabekian ka deklaruar se “gjenocidi i Izraelit ndaj palestinezëve në Rripin e Gazës” po vazhdon, duke përmendur përkeqësimin e kushteve humanitare dhe duke bërë thirrje për veprim të menjëhershëm ndërkombëtar, transmeton Anadolu.

Duke folur në një panel në Forumin e Diplomacisë në Antalya në Turqi, Aghabekian tha se situata në Gaza mbetet katastrofike edhe muaj pas marrëveshjes së armëpushimit.

“Sot jemi pesë muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes së Sharm el-Sheikh dhe ajo që shohim në Gaza nuk është gjë tjetër veçse një katastrofë. Vrasjet vazhdojnë, plagosjet vazhdojnë dhe ndihma humanitare është ende larg asaj që nevojitet”, tha ajo.

Ajo përshkroi kushte të rënda jetese, me palestinezë të zhvendosur që strehohen në tenda të ekspozuara ndaj përmbytjeve dhe kushteve jo-sanitare.

“Njerëzit po jetojnë në tenda që përmbyten nga uji”, tha ajo duke shtuar se raportet nga organizatat ndërkombëtare tregojnë se banorët janë të rrethuar nga rrënoja dhe mbeturina ndërsa ushqimet janë të kontaminuara nga brejtësit.

Aghabekian vuri në pikëpyetje shpejtësinë e reagimit humanitar. “Kur do të fillojnë përpjekjet urgjente të ndihmës në Gaza? Kur do të hyjë ndihma humanitare dhe kur do të fillojmë të shohim shërbime thelbësore si shëndetësia, arsimi dhe uji”, pyeti ajo.

Sipas saj, situata aktuale është rezultat i viteve të sulmeve izraelite. “Ky gjenocid ishte kulmi i shumë viteve të shkeljeve (izraelite) që na sollën këtu ku jemi”, shtoi ajo.

Deklaratat e saj vijnë mes shkeljeve të përditshme të armëpushimit që është në fuqi që nga 10 tetori i vitit 2025. Ministria e Shëndetësisë tha se këto shkelje kanë vrarë 765 palestinezë dhe kanë plagosur 2.140 të tjerë deri tani.

Armëpushimi pasoi dy vite gjenocid izraelit që nisi në tetor të vitit 2023, i cili ka vrarë më shumë se 72.340 palestinezë dhe ka plagosur 172.250 të tjerë ndërsa ka shkatërruar rreth 90 për qind të infrastrukturës së enklavës.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button