Mexhiti: Nis transformimi i Çarshisë së Vjetër – investim rreth 29 milionë denarë

Sot në terren, Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, shënoi nisjen e punimeve për rikonstruimin dhe transformimin e Çarshisë së Vjetër, një ndër ndërhyrjet më të rëndësishme infrastrukturore në këtë zonë historike në dekadat e fundit.
Projekti përfshin një sipërfaqe prej 1.567 m² dhe parasheh restaurimin e kalldërmit me gur travertin, duke ruajtur autenticitetin historik të Çarshisë, si dhe modernizimin e plotë të infrastrukturës nëntokësore, përfshirë ujësjellësin, kanalizimin, rrjetin elektrik dhe instalimin e fibrës optike.
Ndërhyrja përfshin gjithashtu ndriçim të ri në stil tradicional, rregullimin e hapësirave për këmbësorë dhe vendosjen e elementeve urbane, duke krijuar një ambient funksional dhe tërheqës për qytetarët dhe vizitorët.
“Pas më shumë se pesë dekadash pa ndërhyrje serioze, po nisim një transformim të vërtetë të Çarshisë së Vjetër. Ky është një investim që rikthen dinjitetin urban, funksionalitetin dhe gjallërinë e kësaj zone historike,” u shpreh Mexhiti.
Vlera e përgjithshme e investimit është rreth 29 milionë denarë, me synim rikthimin e Çarshisë si një hapësirë moderne, funksionale dhe me identitet të ruajtur historik.


