Sondazh në SHBA: Rriten pikëpamjet negative ndaj Izraelit dhe Netanyahut

Pikëpamjet negative ndaj Izraelit dhe kryeministrit Benjamin Netanyahu po rriten, sipas një sondazhi të ri të publikuar të martën, transmeton Anadolu.
Sondazhi nga Qendra Kërkimore “Pew”, i realizuar nga 23 deri më 29 mars midis 3.507 të rriturve amerikanë, zbuloi se 60 për qind tani kanë pikëpamje të pafavorshme për Izraelin, nga 53 për qind vitin e kaluar dhe gati 20 pikë përqindjeje më të larta se në vitin 2022.
Ndërkohë, 59 për qind thanë se kanë pak ose aspak besim tek Netanyahu “për të bërë gjënë e duhur lidhur me çështjet botërore”, duke shënuar një rritje prej shtatë pikësh nga viti i kaluar.
Perceptimet negative ishin veçanërisht të theksuara midis amerikanëve nën 50-vjeç në të dy partitë politike. Tetë në dhjetë demokratë raportuan pikëpamje të pafavorshme për Izraelin ndërsa midis republikanëve të moshës 18-49 vjeç, 57 për qind tani e shohin Izraelin negativisht, nga 50 për qind vitin e kaluar.
Besimi tek Netanyahu gjithashtu ra në të gjitha grupet politike dhe fetare.
Midis demokratëve, 76 për qind shprehën pak ose aspak besim ndërsa republikanët ishin të ndarë, me 45 për qind që shprehën besim dhe 44 për qind që nuk e kishin atë. Midis amerikanëve muslimanë, 91 për qind raportuan pak ose aspak besim tek Netanyahu, përfshirë 74 për qind që nuk kishin fare besim.
Anketa zbuloi gjithashtu se 55 për qind e amerikanëve nuk kanë besim te presidenti i SHBA-së, Donald Trump për të marrë vendime të mira në lidhje me marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Izraelit, megjithëse republikanët mbetën kryesisht mbështetës, me 73 për qind që shprehën besim krahasuar me 16 për qind të demokratëve.
Më shumë se gjysma e amerikanëve, 53 për qind thanë se konflikti mes Izraelit dhe Hamasit është personalisht i rëndësishëm për ta ndërsa 77 për qind thanë të njëjtën gjë për veprimin ushtarak të SHBA-së kundër Iranit, sipas raportit.



