Mickoski paralajmëroi masa të reja të drejtuara për grupe të synuara qytetarësh dhe për produkte të caktuara

Qeveria po përgatit një paketë të re masash që do të shpallet pas festave të Pashkëve. Siç deklaroi sot kryeministri Hristijan Mickoski, vendimet e reja do të përqendrohen në produktet bazë ushqimore përmes një kombinimi të uljes së TVSH-së dhe kufizimit të marzheve të fitimit, transmeton Portalb.mk.
“Masat pasuese do të jenë më të synuara për grupe të caktuara të qytetarëve dhe produkte të caktuara. Po flas këtu kryesisht për produktet bazë ushqimore. Dhe këto masa do të kombinohen me uljen e taksës mbi vlerën e shtuar, por edhe me kufizimin e marzhit të fitimit. Masat do të lëvizin në atë drejtim”, tha Mickoski.
Sipas llogaritjeve të qeverisë, inflacioni për marsin pritet të jetë midis 4.5 dhe 5 përqind. Megjithëse një rritje e lehtë u vu re në gjysmën e dytë të marsit, Mickoski theksoi se ndërhyrjet e mëparshme – të tilla si ulja e TVSH-së për karburantet dhe akcizat – parandaluan një normë inflacioni dyshifrore.
“Po kryejmë analizat për të parë nëse kemi abuzim dhe sjellje anti-tregu nga operatorë të caktuar. Më lejoni t’ju kujtoj se në mars dhe prill 2022 norma e inflacionit është dyshifrore – 10.5 përqind”, tha Mickoski.
Ai përsëriti se vendimet nuk duhen marrë nën presion, por me zgjuarsi, sepse duhet të përgatitemi për një periudhë më të gjatë krize sepse, siç theksoi ai, askush nuk e di se sa do të zgjasë.
“Duhet të përgatitemi për një periudhë më të gjatë, ndërsa të jemi të lumtur nëse mbaron më shpejt”, tha Mickoski.
Lidhur me njoftimet se në tre muajt e parë të këtij viti, ndryshimet në Ligjin për Praktikat e Padrejta Tregtare, në lidhje me rritjen e gjobave, do të dorëzohen në Parlament, Mickoski konfirmoi se Ligji për Praktikat e Padrejta Tregtare për rritjen e gjobave është gati.
“Pata takim me kryetarin e Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës. Mendoj se është çështje ditësh kur do të hyjë në procedurën e qeverisë”, tha kryeministri.
Mickoski është i kënaqur me rritjen e eksporteve në dy muajt e parë të këtij viti, për çka thotë se është inkurajuese, sepse nuk pati ulje, megjithëse kishte disa frikëra.
“Kemi një rritje të eksporteve në shkurt me 12 përqind krahasuar me vitin e kaluar dhe importet janë rritur me afërsisht 10 përqind krahasuar me vitin e kaluar. Nëse marrim parasysh dy muajt e parë, si eksportet ashtu edhe importet po rriten me të njëjtin ritëm prej 2.4 përqind. Kjo do të thotë se nuk kemi rënie siç ekzistonte frikë, por përkundrazi rritje. Por kjo vlen për dy muajt e parë. Tani do të shohim se si do të jenë muajt në vijim – marsi, prilli, dhe varësisht se sa e thellë është kriza, do të sillemi në përputhje me rrethanat”, tha Mickoski në përgjigje të pyetjeve gazetareske në fillim të zbatimit të një projekti për rindërtimin e rrugëve në Komunën e Aerodromit.
Mickoski tha dje se për shkak të vendimit për uljen e TVSH-së për karburantet nga 18 në 10 përqind, buxheti tashmë po pëson humbje serioze, të vlerësuara në rreth një milion euro në ditë.



