Siljanovska: Ndryshimet klimatike më nuk janë kërcënim, por realitet

Ndryshimet klimatike më nuk janë kërcënim i largët, por realitet që e jetojmë çdo ditë, tha sot presidentja Gordana Siljanovska Davkova. Ajo theksoi se shteti duhet të kalojë nga një qasje reaktive në një qasje parandaluese, me politika të definuara qartë dhe përgjigje institucionale të koordinuara. Njëherit, e theksoi edhe obligimin kushtetues për mbrojtjen e natyrës, por edhe paralajmëroi se pa zbatim të vazhdueshëm të ligjeve dhe strategjive, dokumentet mbesin vetëm në letër.
“Sot, kur flasim për ndryshimet klimatike, nuk flasim për diçka të largët dhe abstrakte, por për një realitet të cilin e jetojmë çdo ditë përmes verave që zgjasin më shumë se sa jemi mësuar, përmes ajrit të pasuruar me grimca PM, nëpër ujin që bëhet i ndotur dhe i pamjaftueshëm, nëpër pyjet që po zhduken”, tha presidentja në ngjarjen “Ndryshimet klimatike – rreziqe dhe sfida”, që mbahet sot në Vila “Vodno”. Ajo theksoi se ndryshimet klimatike janë shumëzues i rreziqeve dhe kërkojnë përgjigje të koordinuar institucionale.
Në fjalimin e saj, Siljanovska Davkova u kthye edhe në obligimin kushtetues për mbrojtjen e mjedisit jetësor.
“Kushtetuta jonë njeh mbrojtjen dhe promovimin e mjedisit jetësor dhe natyrës si vlera themelore të rendit kushtetues. Sot, ajo vlerë nuk mund të shqyrtohet e izoluar, por edhe në kontekst të sigurisë, duke marrë parasysh se rreziqet nga ndryshimet klimatike ndikojnë drejtpërdrejtë mbi funksionimin e shoqërisë dhe institucioneve. Edhe pse kjo vlerë është një çështje kushtetuese, ende e presim Ligjin për veprim klimatik”, tha ajo.
Presidentja bëri thirrje për ndryshim në mënyrën e mendimit dhe planifikimit…
Në diskutim u drejtua edhe koordinatorja kombëtare për ndryshime klimatike, Teodora Obradoviq-Grnçarovska, e cila foli për statusin institucional, aktivitetet në vijim dhe Ligjin për veprim klimatik.
Ajo theksoi se ekziston nevoja për të balancuar atë që kërkohet me atë që pritet dhe theksoi disa prioritete nga plani i rritjes.
Profesori Vlado Spiridonov, paralajmëroi në skenarë të mundshëm ekstrem këtë verë.
“Sistemi klimatik është i paqëndrueshëm. Ngjarje të shpeshta të motit, hidrologjike dhe klimatike kërkojnë adaptim të menjëhershëm me sistemet bashkëkohore për parashikim dhe njoftimin e rreziqeve shumënivelëshe. Përgatituni për këtë verë – është i mundur një skenar i fortë El Ninjo me temperatura të rritura, valë të nxehta, thatësira dhe stuhi intensive”, tha Spiridonov.
Kjo ngjarje bashkon profesorë universitar, ekspertë, përfaqësues të institucioneve dhe sektorit civil, me qëllim që të gjenden rekomandime konkrete dhe masa për veprim parandalues dhe zgjidhje inovative për adaptim të ndryshimeve klimatike.



