Mbi 71 mijë tonë eksplozivë të pashpërthyer në Gaza, paralajmërohen rreziqe të mëdha për civilët

Rreth 71 mijë tonë eksplozivë dhe mbetje luftarake, përfshirë mbi 20 mijë mjete të pashpërthyera, vazhdojnë të jenë të shpërndara në Rripin e Gazës, duke paraqitur një kërcënim serioz për jetën e civilëve.
Qendra e Gazës për të Drejtat e Njeriut ka ngritur alarmin për rrezikun e madh që vjen nga prania e këtyre mjeteve shpërthyese, të cilat ndodhen në zona të ndryshme të territorit. Sipas tyre, intensiteti i bombardimeve ka lënë pas një sasi të madhe predhash, raketash dhe materialesh që nuk kanë shpërthyer.
Këto mjete janë të varrosura nën rrënojat e shtëpive të shkatërruara, në rrugë, toka bujqësore dhe në zona të banuara, duke e bërë lëvizjen e qytetarëve jashtëzakonisht të rrezikshme.
Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza, deri më tani, të paktën 7 persona, përfshirë 5 fëmijë, kanë humbur jetën dhe 49 të tjerë janë plagosur si pasojë e shpërthimeve të mjeteve të pashpërthyera. Megjithatë, autoritetet theksojnë se këto shifra nuk janë përfundimtare për shkak të mungesës së dokumentimit të plotë.
Situata mbetet shqetësuese, ndërsa organizatat paralajmërojnë se rreziku do të vazhdojë për një kohë të gjatë nëse nuk ndërmerren masa urgjente për pastrimin e zonave të prekura.



