Sulmet iraniane detyrojnë mbylljen e objektit Al Taweelah të kompanisë Emirates Global Aluminium në Abu Dhabi

Kompania Emirates Global Aluminium (EGA) ka bërë të ditur se sulmet e fundit me raketa dhe dronë nga Irani shkaktuan dëme të konsiderueshme në kompleksin e saj Al Taweelah në Abu Dhabi, duke e detyruar evakuimin e plotë dhe mbylljen emergjente, transmeton Anadolu.
Kompania njoftoi se goditjet prekën objektet në Zonën Ekonomike Khalifa në Abu Dhabi, duke ndikuar në shkritoren, impiantin e derdhjes, centralin elektrik, rafinerinë e aluminit dhe impiantin e riciklimit.
EGA tha se ky vend është “një nga komplekset më të mëdha të prodhimit të aluminit në botë”.
Sipas kompanisë, rikthimi i prodhimit primar të aluminit mund të zgjasë deri në 12 muaj, pasi do të nevojiten riparime të infrastrukturës dhe rifillimi gradual i qelizave të reduktimit.
Ajo shtoi se rafineria e aluminit dhe impianti i riciklimit mund të rifillojnë pjesërisht më herët, në varësi të vlerësimeve të dëmeve.
Shefi ekzekutiv i kompanisë, Abdulnasser Bin Kalban, tha se kompania ishte “thellësisht e tronditur nga ky sulm ndaj njerëzve tanë”, duke theksuar se në vend ndodheshin punonjës nga më shumë se 40 shtete.
“Falënderojmë Zotin që askush nuk ka marrë lëndime kërcënuese për jetën dhe se të lënduarit po shërohen mirë”, tha ai.
Kalban e përshkroi objektin Al Taweelah si “një themel të ekonomisë globale” dhe një kontribuues të madh në furnizimin global me alumin, duke paralajmëruar se incidenti mund të ndikojë në industri në mbarë botën.
“Do të bëjmë më të mirën për të mbështetur klientët tanë në mbarë botën gjatë kësaj periudhe të vështirë”, tha ai, duke theksuar se kompania po punon me klientët, dërgesat e të cilëve mund të preken.
Sipas kompanisë EGA, shkritorja Al Taweelah prodhoi 1.6 milionë tonë metal të derdhur në vitin 2025, ndërsa rafineria e saj e aluminit prodhoi 2.4 milionë tonë, duke mbuluar 46 për qind të nevojave të kompanisë. Impianti i riciklimit ka një kapacitet vjetor prej 185 mijësh tonësh.
SHBA-ja dhe Izraeli më 28 shkurt nisën një ofensivë ajrore ndaj Iranit, duke vrarë deri më tani më shumë se 1.340 persona, përfshirë edhe liderin suprem të atëhershëm, Ali Khamenei.
Irani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa që kanë në shënjestër Izraelin, si dhe Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë asete ushtarake amerikane, duke shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturë, si dhe duke ndërprerë tregjet globale dhe aviacionin.



