Universiteti i Tetovës dhe INOVA nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi për zhvillimin e inovacionit

Universiteti i Tetovës, i përfaqësuar nga rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli dhe përfaqësues të tjerë institucionalë, mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit me Agjencinë për Inovacione, Zhvillim Shkencor-Teknologjik dhe Ndërmarrësi (INOVA), së bashku me universitetet shtetërore në vend.
Në këtë ngjarje u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet arsimit të lartë dhe institucioneve për zhvillim, si një faktor kyç për përgatitjen e kuadrove profesionale:
“Roli i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, si dhe i universiteteve, është i një rëndësie të veçantë në ndërtimin e një sistemi që do të mundësojë zhvillimin e kuadrove të përgatitur për t’iu përgjigjur sfidave bashkëkohore.”
Memorandumi u nënshkrua nga rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, dhe drejtoresha e INOVA-s, Daniella Dimovska, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt forcimit të lidhjeve ndërmjet akademisë dhe sektorit të inovacionit.
Sipas njoftimit, bashkëpunimi synon të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik dhe teknologjik të vendit:
“Ky bashkëpunim synon të kontribuojë në zhvillimin e ekosistemit inovativ në vend, përmes mbështetjes së startupeve dhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme si dhe rritjes së konkurrueshmërisë së bizneseve.”
Institucionet do të angazhohen në zhvillimin e programeve për startup-e, promovimin e kërkimit shkencor, digjitalizimin e bizneseve, si dhe pjesëmarrjen në projekte ndërkombëtare të financuara nga Bashkimi Evropian.
Ky memorandum konsiderohet një hap i rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet universiteteve dhe mekanizmave mbështetës për inovacionin dhe ndërmarrësinë, duke krijuar mundësi të reja për studentët dhe bizneset në vend.



