Operacion ndërkombëtar zbulon rast në Manastir: 31-vjeçari dyshohet për pornografi me fëmijë

Prokuroria Themelore Publike në Manastir ka nisur zyrtarisht procedurën hetimore ndaj një 31-vjeçari, i cili dyshohet për veprën penale “Prodhimi dhe shpërndarja e pornografisë me fëmijë”.

Sipas njoftimit zyrtar, i dyshuari, i cili ishte i punësuar në një institucion arsimor, gjatë periudhës nga prilli i vitit 2024 deri më 1 prill 2026, ka siguruar dhe poseduar materiale të pornografisë me fëmijë në pajisjet kompjuterike që përdorte në shtëpinë e tij.

Ky aksion është rezultat i një bashkëpunimi të gjerë mes Prokurorisë, SPB Manastir dhe Sektorit për Krim Kompjuterik në Shkup, pas një informacioni kyç të marrë nga Policia Federale Australiane.

”Shërbimet australiane kanë realizuar një operacion madhor për zbulimin e përdoruesve të adresave IP që kanë tentuar të qasen në ueb-faqe përgjegjëse për shpërndarjen e imazheve dhe videove të abuzimit me fëmijët. Gjatë këtij operacioni janë identifikuar përdorues unikë, adresat e tyre elektronike dhe adresat IP, ku një pjesë e tyre ndodheshin në Maqedoninë e Veriut,” njofton Prokuroria.

Hetimet shtrihen edhe në qytete të tjera

Përveç rastit në Manastir, organet e hetuesisë janë duke kryer verifikime të detajuara edhe në Shkup dhe qytete të tjera të vendit për të gjitha të dhënat e pranuara nga partnerët ndërkombëtarë.

Për të dyshuarin nga Manastiri, Prokuroria i ka dorëzuar Gjykatës Themelore propozimin për caktimin e masës së paraburgimit, për shkak të rrezikut të përsëritjes së veprës apo ndikimit në procesin hetimor.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button