Shefi i OKB-së dënon “fuqishëm” sulmet vdekjeprurëse ndaj paqeruajtësve të OKB-së në Liban

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, dënoi “fuqishëm” vrasjen e dy paqeruajtësve indonezianë të Forcave të Përkohshme e Kombeve të Bashkuara (UNIFIL) në Liban, transmeton Anadolu.
“Sekretari i Përgjithshëm shpreh ngushëllimet e tij më të thella për familjet, miqtë dhe kolegët e paqeruajtësve që humbën jetën, si dhe për Republikën e Indonezisë. Ai u uron shërim të plotë dhe të shpejtë paqeruajtësve të plagosur”, thuhet në një deklaratë të zëdhënësit të tij, Stephane Dujarric.
Duke theksuar se incidenti ishte “rasti i dytë fatal brenda një periudhe 24-orëshe”, ai tha se sulmet ndaj paqeruajtësve janë “shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe të Rezolutës 1701 (2006) të Këshillit të Sigurimit, dhe mund të përbëjnë krime lufte”.
Duke nënvizuar nevojën për përgjegjësi, deklarata shton se “askush nuk duhet të humbasë jetën duke shërbyer për kauzën e paqes”.
Guterres gjithashtu u bëri thirrje “të gjithë aktorëve të respektojnë detyrimet e tyre sipas së drejtës ndërkombëtare dhe të sigurojnë mbrojtjen dhe sigurinë e personelit dhe pronës së Kombeve të Bashkuara në çdo kohë”.
Duke shprehur “vlerësimin më të thellë” për të gjithë ata që shërbejnë në misionin paqeruajtës në Liban, ai theksoi edhe “rëndësinë e sigurisë së tyre dhe të lirisë së lëvizjes së misionit”.
“Organizata e Kombeve të Bashkuara u bën thirrje palëve të ulin menjëherë tensionet dhe të respektojnë plotësisht detyrimet e tyre sipas Rezolutës 1701 (2006) të Këshillit të Sigurimit”, shtohet në deklaratë.
Në një deklaratë të hënën, UNIFIL-i njoftoi se dy ushtarë u vranë nga një “shpërthim me origjinë të panjohur” që shkatërroi automjetin e tyre pranë qytetit Bani Hayyan në rrethin Marjeyoun.
Misioni tha se ky është incidenti i dytë i këtij lloji brenda 24 orëve, duke shtuar se është hapur një hetim për rrethanat e ngjarjes.
Të dielën, misioni paqeruajtës njoftoi se një paqeruajtës u vra dhe një tjetër u plagos pasi një predhë goditi një pozicion të tyre pranë qytetit Adshit al-Qusayr në jug të Libanit.



