Mbretëria e Bashkuar: Nuk ka plane iraniane për të goditur Londrën

Ministri i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar të enjten hodhi poshtë pretendimet izraelite se Teherani ka aftësinë të godasë vendet evropiane, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, duke thënë se “nuk ka asnjë vlerësim për plane iraniane për të goditur Londrën.”
Duke folur për Sky News, John Healey përsëriti se nuk ka inteligjencë që tregon për ndonjë sulm të planifikuar ndaj Mbretërisë së Bashkuar, duke shtuar se Britania ka “burimet dhe aleancat e nevojshme” për t’u mbrojtur.
“Ne e bëjmë këtë jo vetëm sepse kemi forca të klasit të parë, por sepse kemi një aleancë me 31 vende të tjera të NATO-s”, tha ai. “Së bashku mbrojmë NATO-n dhe hapësirën ajrore britanike, si dhe territorin britanik.”
Komentet e tij vijnë në një kohë shqetësimesh për përshkallëzimin e tensioneve në Lindjen e Mesme dhe pyetjeve mbi gatishmërinë ushtarake të Mbretërisë së Bashkuar.
Healey gjithashtu mbrojti reagimin e qeverisë, pavarësisht kritikave për kohën e nevojshme për të dërguar një anije të Marinës Mbretërore në Mesdheun Lindor dhe për numrin e kufizuar të forcave britanike në rajon.
“Mendoj se veprimet flasin vetë”, tha ai. “Jam krenar për gatishmërinë dhe për reagimin e forcave tona të armatosura.”
“Kjo do të thotë që pilotët tanë britanikë kanë kryer misione mbrojtëse që nga dita e parë për të mbrojtur jetët dhe popullin tonë”, shtoi ai.
I pyetur nëse ka pasur mangësi në planifikimin ushtarak, ai iu referua viteve të nënfinancimit.
“Nuk mund të rregullosh brenda natës 14 vite nënfinancimi dhe dobësimi të kapaciteteve”. tha ai, duke kritikuar në mënyrë të tërthortë vitet e gjata të qeverisjes së Partisë Konservatore. “Por po fillojmë ta rregullojmë këtë.”



