VLEN: Ulja e TVSH-së për karburantet është masë konkrete në mbrojtje të qytetarëve

Qeveria VLEN gjithmonë është angazhuar dhe ka mbështetur fuqishëm politikat që sjellin lehtësim konkret për familjet, bizneset dhe çdo qytetar që përballet me pasojat e rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Vendimi për uljen e TVSH-së për karburantet nga 18 në 10 për qind është hap i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për të zbutur presionin mbi standardin e qytetarëve dhe për të ruajtur stabilitetin ekonomik në vend.
Në kushte të krizës globale, luhatjeve në tregjet energjetike dhe rritjes së vazhdueshme të kostos së jetesës, ndërmarrja e masave konkrete, të përgjegjshme dhe në kohë është domosdoshmëri. Pikërisht këtë e reflekton edhe kjo masë, e cila synon të zbusë goditjen e drejtpërdrejtë mbi buxhetin familjar, sektorin e transportit, bizneset dhe zinxhirin e çmimeve në përgjithësi.
Njëkohësisht, mbështesim edhe qasjen për kontroll të shtuar në treg, me qëllim që të parandalohet çdo abuzim i mundshëm, çdo rritje e pajustifikuar e çmimeve dhe çdo tentativë për përfitim në kurriz të qytetarëve.



