Dimitrieska-Koçoska: Situata me burimet energjetike është stabile, do të ndërhyjmë nëse ka nevojë

Situata me energjentët po ndiqet me kujdes dhe nëse paraqitet nevoja, Qeveria do të ndërhyjë ndërsa vendi ka rezerva të mjaftueshme të energjentëve, kështu tha mbrëmë në Kanal 5, ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, transmeton Portlb.mk.
Sipas saj, kriza aktuale është krejtësisht ndryshe nga ajo e vitit 2022 dhe theksoi se Ministria e Financave mund të reagojë pasi të shpallet gjendje krize.
“Çdo ditë bëhen analiza për atë që po ndodh në Lindjen e Mesme dhe për lëvizjen e çmimit të naftës. Ajo që ministria mund të ndërmarrë është të reagojë pasi të shpallet gjendje krize apo gjendje lufte. Të martën nuk kishte propozim për gjendje krize sepse kishim ulje të çmimeve të naftës. Ne bëjmë krahasime edhe me atë që ndodhi në vitin 2022. Nëse krahasohet me vitin 2022, pikërisht më 12 mars çmimi i naftës ishte 117 dollarë për fuçi, ndërsa sot është rreth 100 dollarë për fuçi. Pra, situata tani është krejtësisht ndryshe nga ajo e vitit 2022”, theksoi Dimitrieska–Koçoska.
Ministrja tha se në takimin me kompanitë e naftës të gjithë kanë konfirmuar se kanë rezerva të mjaftueshme.
“Nuk ka mungesë të naftës dhe këtë e tha secila nga kompanitë e naftës në takim. Mund të them me përgjegjësi se i pyetëm të gjitha kompanitë nëse kanë ndonjë problem. Përgjigjja për pyetjen pse në disa pompa të karburantit nuk kishte naftë ishte se ata e kanë në depo dhe u duhet kohë për ta transportuar deri te pompat e karburantit. Asnjëra kompani nuk tha se përballet me ndonjë problem apo mungesë”, tha Dimitrieska–Koçoska.
Sa i përket kritikave nga opozita se Qeveria po vonohet me masat, ministrja e Financave tha se kushtet tani janë krejtësisht të ndryshme nga ato të vitit 2022.
“Atëherë situata ishte shumë më ndryshe se sot. Kishim inflacion shumë më të lartë se tani. Në vitin 2022, në muajin kur u vendosën masat, kishte rritje nominale të pagave prej 10 përqind, ndërsa reale vetëm 1,2 përqind, sepse inflacioni ishte 8,8 përqind, ndërsa rritja e çmimeve të ushqimit 11,4 përqind. Sot kemi një situatë ku ka rritje reale të pagave në raport me inflacionin, ndërsa rritja e çmimeve të ushqimit është më e ulët”, theksoi ministrja e Financave.
Në takimin me marketet, siç informoi ajo, është rënë dakord që nëse vërehen ndryshime në çmimet hyrëse, të informohet Inspektorati i Tregut.
Ndryshe, më 9 mars, Komisioni Rregullator për Energjetikë i Republikës së Maqedonisë së Veriut (KRRE) miratoi vendim me të cilin u rritën çmimet me pakicë të derivateve të naftës me mesatare prej 14.27% krahasuar me vendimin e datës 2.3.2026.



