Raundi i tretë i bisedimeve indirekte Iran-SHBA në Gjenevë rifillon pas një ndërprerjeje të shkurtër

Ekipet negociatore të Iranit dhe SHBA-së janë rikthyer në Ambasadën e Omanit në Gjenevë për raundin e tretë të negociatave indirekte, pas një pushimi prej rreth katër orësh, transmeton Anadolu.
Ky raund bisedimesh indirekte nisi në orën 10:00 me kohën lokale (09:00 GMT) në një nga ndërtesat që i përkasin Ambasadës së Omanit në qytetin zviceran, nëntë ditë pas raundit të mëparshëm.
Pas shkëmbimit të mesazheve përmes ministrit të Punëve të Jashtme të Omanit, Badr Al-Busaidi dhe kreut të agjencisë bërthamore të OKB-së, Rafael Grossi, për më shumë se tre orë, të dyja palët ndërprenë seancën rreth orës 13:30 me kohën lokale.
Seanca e dytë pas pushimit, në kuadër të raundit të tretë të bisedimeve, nisi rreth orës 17:45 me kohën lokale.
Sipas transmetuesit shtetëror iranian, të dyja palët e shfrytëzuan pauzën për t’u konsultuar me kryeqytetet e tyre përkatëse mbi detajet e negociatave, duke e bërë këtë raund më të gjatin nga tre raundet e zhvilluara deri më tani që nga rifillimi i diplomacisë bërthamore muajin e kaluar.



