“Trump po shqyrton sulm të kufizuar ndaj Iranit, paralajmëron veprime më të gjera nëse dështojnë negociatat”
Raportohet se Trump u ka thënë këshilltarëve se do të shqyrtojë veprime më të gjera ushtarake në muajt e ardhshëm nëse negociatat dhe çdo sulm i kufizuar nuk e bindin Teheranin të braktisë programin e tij bërthamor

Presidenti Donald Trump po shqyrton një sulm fillestar ushtarak të synuar kundër Iranit dhe mund të ndjekë veprime më të gjera që synojnë rrëzimin e udhëheqjes së vendit nëse përpjekjet diplomatike dështojnë, raportoi të dielën “The New York Times”, duke cituar zyrtarë amerikanë të njohur me diskutimet e brendshme, transmeton Anadolu.
Sipas gazetës, Trump u ka thënë këshilltarëve se do të shqyrtojë veprime më të gjera ushtarake në muajt e ardhshëm nëse negociatat dhe çdo sulm i kufizuar nuk e bindin Teheranin të braktisë programin e tij bërthamor.
Ndërkohë, është planifkuar që negociatorët amerikanë dhe iranianë të takohen të enjten në Gjenevë në atë që zyrtarët e përshkruan si bisedimet e fundit për të shmangur konfliktin ushtarak. Negociatat, të ndërmjetësuara nga Omani, vijnë pas raundeve të mëparshme të mbajtura më 6 shkurt në Muscat dhe 17 shkurt në Gjenevë. Një raund i tretë është caktuar për 26 shkurt në qytetin zviceran.
Raporti tha se Trump është anuar drejt nisjes së një sulmi të synuar në ditët e ardhshme për t’u sinjalizuar udhëheqësve iranianë se ata duhet të heqin dorë nga aftësia për të prodhuar një armë bërthamore. Objektivat e mundshme që po merren në konsideratë përfshijnë selinë e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, objektet bërthamore dhe elementët e infrastrukturës së raketave balistike të vendit.
Zyrtarët e cituar nga gazeta thanë se Trump tregoi se nëse masa të tilla dështojnë, ai do të shqyrtonte një operacion ushtarak në shkallë më të gjerë më vonë këtë vit që synonte largimin e udhëheqjes së Iranit.
Raporti thekson se disa zyrtarë të administratës vënë në dyshim nëse ky objektiv mund të arrihet vetëm përmes sulmeve ajrore. Opsionet e mëparshme që kanë përfshirë forca të operacioneve speciale të cilët kanë kryer bastisje në objektet e përforcuara bërthamore dhe raketore thuhet se janë lënë mënjanë për shkak të rreziqeve operacionale.
NYT tha se Shtëpia e Bardhë nuk ka pranuar të komentojë drejtpërdrejt mbi diskutimet e presidentit. “Media mund të vazhdojë të spekulojë sa të dojë mbi mendimin e presidentit, por vetëm presidenti Trump e di se çfarë mund të bëjë ose jo,” tha zëdhënësja Anna Kelly në një deklaratë të cituar nga gazeta.
Zyrtarët nga të dyja palët po diskutojnë gjithashtu një propozim që mund të shmangë përshkallëzimin, tha raporti. Iniciativa do t’i lejonte Iranit të mbante një program shumë të kufizuar të pasurimit të uraniumit për kërkime dhe trajtime mjekësore. Mbetet e paqartë nëse Washingtoni apo Teherani do ta pranonin një marrëveshje të tillë.
Publikisht, Trump ka thënë se çdo marrëveshje duhet të rezultojë në “zero pasurim” të materialit bërthamor nga Irani.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ka thënë se Teherani nuk do të heqë dorë nga ajo që e konsideron të drejtë të tij sipas Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore për të prodhuar karburant bërthamor.
Bisedimet vijnë në mes të një forcimi ushtarak amerikan në rajon. Të dhënat e gjurmimit me burim të hapur tregojnë se dy grupe transportuesish aeroplanësh, së bashku me avionë luftarakë, bombardues dhe avionë furnizimi me karburant, janë vendosur brenda rrezes së Iranit.
Diskutimet rreth sulmeve të mundshme u mbajtën në Dhomën e Situatave në Shtëpinë e Bardhë javën e kaluar dhe përfshinë Zëvendëspresidentin, JD Vance, Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, Kryetarin e Shtabit të Përgjithshëm, Dan Caine dhe Drejtorin e CIA-s, John Ratcliffe, sipas raporteve të medias.
Negociatat thuhet se janë përqendruar në nivelet e pasurimit të uraniumit të Iranit dhe rezervat e tij të uraniumit shumë të pasuruar.



