Ndryshimet në Qeveri: Këto janë disa emra që ikin, ZNAM-i merr Arsimin, Toshovski tek Drejtësia

Paralajmërimi i kryeministrit Hristijan Mickoski për një rikonstruksion të mundshëm qeveritar ka hapur më shumë pyetje sesa ka dhënë përgjigje.
Në kabinetin qeveritar dhe mes partnerëve të koalicionit po bëhen llogaritjet e peshës, rezultateve dhe besnikërisë politike, përcjell INA.
Kryeministri ka paralajmëruar se në maj, më së voni në qershor, do të bëhet një analizë e një pjese të dikastereve dhe institucioneve, pas së cilës është i mundur rikonstruksioni.
Sipas informacioneve jozyrtare, ndër të parët që mund të preken nga këto ndryshime janë ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Llutkov, dhe ministri i Sportit, Borko Ristovski, shkruan portali Vardarski.
Në tryezën e ndërrimit është edhe emri i ministres së Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska. Dikasteri i Drejtësisë, i udhëhequr nga Igor Filkov i ZNAM-it, është me interes të veçantë. Po shqyrtohet një skenar ku Arsimi do t’i kalonte ZNAM-it – me mundësinë që aty të emërohet deputeti Boban Karapejovski – ndërsa Drejtësinë do ta merrte ministri aktual i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
Të paqëndrueshme përmenden edhe pozitat në Ministrinë e Bujqësisë, ku Cvetan Tripunovskishihet rrallë në fokusin parlamentar, dhe në Energjetikë, ku Sanja Bozhinovska vlerësohet se nuk ka dhënë rezultatet e pritura.
Ndërkohë, nga koalicioni VLEN flitet për ndryshime brenda dikastereve, por edhe për mundësinë e shkëmbimit të tyre me partnerët e koalicionit, veçanërisht me VMRO-DPMNE-në. Në anën tjetër, pozitat e ministrave të Punëve të Jashtme, Financave, Mbrojtjes, Transportit dhe Vetëqeverisjes Lokale konsiderohen të qëndrueshme. Kjo tregon se shtyllat kryesore ekonomike dhe të politikës së jashtme, për momentin, nuk janë objekt i ndërhyrjeve.



