Mexhiti: Nis një nga projektet më të mëdha infrastrukturore në Komunën e Çairit

Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka njoftuar për fillimin e rikonstruksionit të plotë të rrugës “Ferid Murati”, duke e cilësuar projektin si një nga investimet më të rëndësishme infrastrukturore për komunën.

Sipas njoftimit të tij, projekti u prezantua së bashku me kryetarin e Qytetit të Shkupit, Orce Gjeorgjevski, dhe parashikon modernizimin e plotë të rrugës për të përmirësuar qarkullimin dhe sigurinë për qytetarët.

“Sot, së bashku me kryetarin e Qytetit të Shkupit, Orce Gjeorgjevski, njoftuam për fillimin e një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore në Çair, rikonstruksioni i plotë i rrugës ‘Ferid Murati’,” theksoi Mexhiti.

Ai bëri të ditur se projekti përfshin asfaltim të plotë, dy korsi të rregulluara në të dy drejtimet, trotuare të standardizuara, korsi biçikletash në të dy anët, parkim të organizuar për rreth 200 vetura dhe një sistem të ri të ndriçimit publik.

“Ky projekt realizohet në bashkëpunim mes Komunës së Çairit, Bankës Botërore dhe Ministrisë së Transportit,” thuhet në njoftim, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit institucional për realizimin e investimit.

Sipas Mexhitit, rruga “Ferid Murati” ka rëndësi të veçantë për Çairin pasi lidh lagje të ndryshme dhe lehtëson lëvizjen e përditshme, duke ndikuar drejtpërdrejt në zhvillimin lokal. “Çdo investim në infrastrukturë është investim në siguri, ekonomi dhe standard më të mirë jetese për qytetarët,” u shpreh ai.

Ai shtoi se angazhimi i komunës mbetet i fokusuar në projekte që përmirësojnë hapësirat publike dhe i japin Çairit funksionin dhe pamjen që meriton, duke falënderuar partnerët institucionalë për mbështetjen dhe qytetarët për besimin dhe durimin gjatë realizimit të punimeve.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button