Sali në takimin për CBAM: Maqedonia e Veriut e përkushtuar ndaj dekarbonizimit

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, ka theksuar rëndësinë e tranzicionit të gjelbër evropian, duke e cilësuar atë si një proces të domosdoshëm për të ardhmen e përbashkët energjetike të kontinentit.
Në një status të publikuar pas pjesëmarrjes në takimin ministror të Komisionit Evropian për Mekanizmin e Rregullimit të Kufirit të Karbonit (CBAM), Sali deklaroi se Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar fuqishëm ndaj procesit të dekarbonizimit dhe harmonizimit me standardet evropiane.
“Tranzicioni i gjelbër evropian nuk është çështje zgjedhjeje, por një e ardhme e përbashkët,” shkroi ai, duke shtuar se vendi vazhdon të ndërmarrë hapa konkretë drejt transformimit energjetik dhe integrimit më të thellë me politikat e BE-së.
Ai theksoi gjithashtu se politikat e gjelbra duhet të zbatohen në mënyrë të drejtë dhe gjithëpërfshirëse, duke marrë parasysh edhe realitetet e vendeve kandidate dhe tregjeve energjetike në rajon. “Politikat e gjelbra duhet të jenë të drejta dhe të zbatueshme për të gjithë – edhe për vendet kandidate dhe tregjet energjetike të rajonit tonë,” u shpreh Sali.
Sipas tij, vetëm përmes një qasjeje të balancuar dhe bashkëpunuese mund të ndërtohet një e ardhme energjetike evropiane e qëndrueshme dhe e integruar, që garanton stabilitet ekonomik dhe përparim drejt objektivave klimatike.



