Muçunski: Marrëveshje historikisht e rëndësishme me SHBA-në për ekonominë

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Muçunski, foli për marrëveshjen e arritur mes SHBA-së dhe Maqedonisë për tregti reciproke, të drejtë dhe të balancuar.
Në një postim në Facebook, Muçunski e vlerëson marrëveshjen si një hap të rëndësishëm dhe domethënës në bashkëpunimin ekonomik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili ka rëndësi të madhe për ekonominë maqedonase dhe nga i cili përfitime konkrete do të kenë kompanitë maqedonase.
“Kemi harmonizuar një deklaratë të përbashkët dhe kornizë për Marrëveshjen për tregti reciproke, të drejtë dhe të balancuar, me çka forcojmë bashkëpunimin ekonomik bilateral dhe hapim qasje më të madhe në tregun amerikan për kompanitë maqedonase. Falënderim i sinqertë për të gjithë ekipin nga disa institucione që punoi me përkushtim në këtë proces, si dhe ekipin e ambasadës maqedonase në Uashington”, shkroi Muçunski në profilin e tij në Facebook.
Marrëveshjen me SHBA-në e paralajmëroi dje kryeministri Hristijan Mickoski, duke theksuar se gjashtëdhjetë e tre deri në gjashtëdhjetë e katër produkte, të cilat janë strategjike për vendin, do të eksportohen në SHBA me tarifa njëshifrore nga zero deri në gjashtë e gjysmë për qind.
Ai tha se gjatë muajve të fundit janë zhvilluar negociata shumë aktive dhe intensive dhe se këto norma të favorshme janë rezultat i tyre.



