Kabineti saudit: Vizita e presidentit turk tregoi forcën e marrëdhënieve dypalëshe

Kabineti i Arabisë Saudite tha se vizita zyrtare e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, në mbretëri javën e kaluar tregoi forcën e marrëdhënieve midis dy vendeve, transmeton Anadolu.
Kabineti, i mbledhur në kryeqytetin Riad nën kryesimin e Mbretit Salman bin Abdulaziz, u informua për bisedimet që zhvilloi Erdogan me Princin e Kurorës, Mohammed bin Salman, raportoi Agjencia Saudite e Shtypit (SPA).
Kabineti tha se vizita nxori në pah natyrën e fortë të lidhjeve dypalëshe dhe pasqyroi vullnetin për të forcuar bashkëpunimin në fusha të ndryshme, duke theksuar se kjo u konkretizua përmes marrëveshjeve dhe memorandumeve të mirëkuptimit të nënshkruara gjatë vizitës.
Gjithashtu, Kabineti autorizoi ministrin e energjisë të zhvillojë bisedime dhe të nënshkruajë marrëveshje kornizë dhe bashkëpunimi me Turqinë dhe Jordaninë për përdorimin paqësor të energjisë bërthamore.
Erdogan vizitoi Arabinë Saudite më 3 shkurt dhe më pas udhëtoi në Egjipt. Gjatë vizitës u nënshkruan marrëveshje me të dy vendet në fusha të ndryshme, veçanërisht në sektorin e energjisë.



