Të mbijetuarit e Epsteinit kërkojnë publikimin e plotë të dosjeve

Të mbijetuarit e abuzimeve seksuale të lidhura me financierin e ndjerë Jeffrey Epstein kanë bërë thirrje për transparencë të plotë, përmes një reklame të transmetuar gjatë Super Bowl-it, të dielën më 8 shkurt.
Në videon 40-sekondëshe, të realizuar nga organizata “World Without Exploitation” (Bota pa Shfrytëzim), disa prej të mbijetuarve shfaqen duke mbajtur fotografi të tyre nga rinia, ndërsa mesazhi kryesor ishte: “Të gjithë e meritojmë të vërtetën”.
Reklama vjen në një kohë kur Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së ishte i detyruar ligjërisht të publikonte të gjitha dosjet që lidhen me çështjen Epstein deri në dhjetor të vitit të kaluar. Megjithatë, deri më tani janë bërë publike vetëm një pjesë e dokumenteve, shumë prej tyre të redaktuara.
Sipas Departamentit të Drejtësisë, dokumentet e papublikuara janë konsideruar të parëndësishme, të dublikuara, ose janë mbajtur konfidenciale për shkak të procesit të shqyrtimit ligjor, privilegjit avokat-klient, apo për shkak se përmbajnë përshkrime të dhunës.
Reklama hapet me një mesazh në ekran ku thuhet: “Më 19 nëntor 2025, Akti i Transparencës së Dosjeve Epstein u nënshkrua dhe u bë ligj”, ndërsa më pas theksohet se “3 milion dosje ende nuk janë publikuar”.
Në fund, fushata u bën thirrje qytetarëve që të mbështesin të mbijetuarit dhe të kërkojnë veprim, duke iu drejtuar Prokurores së Përgjithshme Pam Bondi me mesazhin: “Është koha për të vërtetën”.



