Zëvendëskryeministri i Parë Bekim Sali në takim me ambasadorin italian Paolo Palminteri

Zëvendëskryeministri i Parë Bekim Sali realizoi një takim me ambasadorin e Italisë në Maqedoninë e Veriut, Paolo Palminteri, ku u diskutua progresi i vendit në procesin e integrimit evropian si dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në fushat kyçe të reformave.
Gjatë takimit u theksua se Italia mbetet një partner i rëndësishëm strategjik dhe një mbështetës i fuqishëm i perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe të rajonit në përgjithësi. Palët shqyrtuan mundësitë për bashkëpunim përmes instrumenteve evropiane, me fokus të veçantë në forcimin institucional, sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik.
Zëvendëskryeministri i Parë Bekim Sali riafirmoi përkushtimin e institucioneve ndaj reformave dhe përmbushjes së obligimeve që burojnë nga agjenda evropiane.



