Demonstratë dhe përleshje në Milano për Lojërat Olimpike, Meloni: Kushdo që proteston kundër është armik i Italisë!

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka reaguar pas përleshjeve gjatë demonstratës të zhvilluar ditën e djeshme, 7 shkurt, në Milano kundër Lojërave Olimpike, të cilat u hapën me një ceremoni në stadiumin Meazza.
Meloni i cilëson protestuesit si “armiq të Italisë”, të cilët përveç përplasjeve të ashpra me policinë, kanë sabotuar gjithashtu dhe infrastrukturën hekurudhore. Ajo thotë se puna e bërë nga ekipet për Lojërat, nuk mund të sabotohet nga bandat e kriminelëve.
“Mijëra e mijëra italianë po punojnë këto orë për t’u siguruar që gjithçka të shkojë mirë gjatë Lojërave Olimpike. Shumë prej tyre e bëjnë këtë si vullnetarë, sepse duan që kombi i tyre të lërë përshtypje të mirë, të admirohet dhe respektohet. Pastaj janë edhe ata: armiqtë e Italisë dhe italianët, të cilët po demonstrojnë ‘kundër Lojërave Olimpike’, duke bërë që këto imazhe të përfundojnë në televizione anembanë botës.
Pasi të tjerët prenë kabllot hekurudhore për të parandaluar nisjen e trenave. Solidaritet, edhe një herë, me policinë, me qytetin e Milanos dhe me të gjithë ata që do ta shohin punën e tyre të minohet nga këto banda kriminelësh”, shkroi Meloni në mediat sociale, duke postuar një video që tregonte atë që ndodhi dje në marshimin e Milanos.



