Spiropali e përgëzon Zëvendëskryeministrin e Parë, Bekim Sali për zgjidhjen e çështjes së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe

Ministrja e Punëve të Jashtme e Shqipërisë, ka përshëndetur gatishmërinë e institucioneve të Maqedonisë së Veriut, posaçërisht të kryeministrit Hristijan Mickoski, dhe të zv/kryeministrit të Parë, Bekim Sali, që çështjen e dhënies së jurisprudencës në gjuhën shqipe, e iniciuar nga studentët ta trajtojnë në mënyrë serioze dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin.
“Përgëzojmë studentët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut për angazhimin qytetar dhe mënyrën demokratike me të cilën kanë artikuluar kërkesën e tyre për përdorimin e gjuhës shqipe në përputhje me të drejtat e garantuara nga Kushtetuta dhe legjislacioni në fuqi.
Vlerësojmë gjithashtu gatishmërinë e institucioneve të Maqedonisë së Veriut, veçanërisht Kryeministrit Mickoski dhe Zëvendëskryeministrit Sali, për ta trajtuar këtë çështje me seriozitet dhe në përputhje me Kushtetutën dhe kuadrin ligjor të vendit.
Dialogu, zgjidhjet institucionale dhe respekti për të drejtat mbeten rruga më e sigurt për forcimin e besimit dhe standardeve demokratike”, ka shkruar Spiropali.



