Gashi në Uashington takon Max Primorac, thekson rëndësinë e partneritetit transatlantik

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, gjatë qëndrimit zyrtar në Uashington ka zhvilluar takim me Max Primorac, Bashkëpunëtor i Lartë Kërkimor në Qendrën për Liri “Margaret Thatcher” pranë The Heritage Foundation, ku në fokus ishte bashkëpunimi strategjik dhe stabiliteti rajonal.
Gashi bëri të ditur se gjatë takimit është diskutuar për rëndësinë e institucioneve të forta dhe vlerave demokratike, si dhe për rolin e partneritetit transatlantik në rajon.
“Zhvilluam një diskutim të frytshëm për rolin e institucioneve të forta, vlerat e lirisë dhe rëndësinë e partneritetit transatlantik për paqen dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor”, theksoi Gashi.
Ai shtoi se komunikimi i vazhdueshëm me partnerët amerikanë mbetet kyç për të ardhmen demokratike të rajonit.
“Dialogu i hapur me miqtë tanë amerikanë është thelbësor për avancimin e vlerave demokratike dhe stabilitetit rajonal”, u shpreh Gashi.



